Loading...

COVID-19/ BE 4 milionë euro mbështetje imediate Shqipërisë, Soreca: Pajisje mjekësore që shpëtojnë jetë

Bashkimi Europian mbështet në mënyrë imediat Shqipërinë me 4 milionë euro për të përballuar krizën e krijuar si pasojë e përhapjes së COVID-19.

Sot u zhvillua një videoceremoni ku u nënshkrua mbështetja e BE-së për të luftuar COVID-19 në Shqipëri, me pjesëmarrjen e ambasadorit Luigi Soreca, shef i Delegacionit të BE-së, Brian J. Williams, Koordinator i Përhershëm i OKB-së dhe Ogerta Manastirliu, ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

“Si pjesë e përgjigjes globale ndaj pandemisë së koronaviorusit, Bashkimi Europian po ndihmon Ballkanin Perëndimor me përafërsisht 38 milionë me ndihmë të menjëhershme për sektorin e shëndetësisë, si edhe me 375 milionë euro për të ndihmuar rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike të të gjithë rajonit”, tha Soreca.

Ambasadori i BE theksoi se, ashtu siç u lajmërua një javë më parë për Shqipërinë shifrat janë konkretisht 4 milionë euro për furnizimin në mënyrë të menjëhershme me pajisje mjekësore që shpëtojnë jetë dhe pothuajse 50 milionë euro që do të shkojnë për mbështetjen sociale, në mënyrë që të reduktohet ndikimi i krizës që kanë të bëjnë me punësimin dhe në sistemin ekonomik”.

“Jam i kënaqur që sot po nënshkruajmë këtë marrëveshje mes Bashkimit Europian dhe zyrës së OKB për Shërbime dhe Projekte. Kjo kontratë do të bëjë të mundur dhënien në mënyrë të shpejtë dhe të menjëhershme të pajisjeve mjekësore, si për parandalimin ashtu dhe për mjekimin dhe trajtimin e kësaj pandemie”, tha Soreca.

“Disa nga këto pajisje që financohen nga BE do të jenë skanera, ventilatorë, ambulanca të pajisura plotësisht me të gjitha mjetet për të shpëtuar jetën dhe për të siguruar transportin dhe ndihmën e parë për rastet më të rënda. Po ashtu do të ketë makineri dixhitale të lëvizshme me rreze x, radiografi dixhitale si edhe disa pajisje që janë fjala e fundit e shkencës për sa i përket shërbimit reanimator. Këto pajisje janë identifikuar si shumë të nevojshme dhe të domosdoshme në mënyrë të përbashkët nga Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë dhe nga OBSH”, theksoi Soreca.

“BE do të japë po ashtu edhe shtretër që janë shumë të nevojshëm për njësitë reanimatore, ose të kujdesit intensiv. Gjithashtu materiale mbrojtëse, pastruesit e duhur të duarve për të gjithë punonjësit në shërbimin shëndetësor dhe të gjithë ata që po punojnë dhe po japin mbështetjen e tyre në vijën e parë çdo ditë në këtë betejë”, tha Soreca.

Gjithashtu, nënvizoi Soreca, “ne po shikojmë mënyra të ndryshme për të mbështetur edhe operatorë të tjerë në vijë të parë që janë shumë të rëndësishëm si për shembull, Policia. PAMECA tashmë është në procesin e prokurimit të të gjithë mjeteve mbrojtëse për Policinë”.

“Shumica e vendeve anëtare të BE po kalojnë në këto moment një krizë të shëndetit publik që është e paprecedentë dhe këto vende po përpiqen që të merren me të gjithë kërkesat e shumëfishta që lindin nga sistemet e tyre shëndetësore. Pavarësisht këtyre momenteve kaq të vështira BE dhe shtetet anëtare kanë vendosur të qëndrojnë krah Shqipërisë dhe partnerëve të Ballkanit Perëndimor, ashtu siç ndodhi në mënyrë të menjëhershme edhe pas tërmetit, Shqipëria do të mund të mbështetet plotësisht tek solidariteti i BE”, tha Soreca.

Ambasadori Soreca u shpreh i kënaqur që “arritëm që të nënshkruhej kjo kontratë në mënyrë të menjëhershme pasi ne njoftuam këto fonde”.

Ai shprehur falënderimet, mirënjohjen dhe mbështetjen e BE dhe të gjithë komunitetit ndërkombëtar për ministren e Shëndetësisë, Manastirliu, stafin e saj si dhe të gjithë personelin shëndetësor që po përballet në vijën e parë me këtë virus.

“Zonja ministre, më lejoni të shpreh falënderimet, mbështetjen dhe mirënjohjen e BE dhe komunitetit ndërkombëtar për ju dhe stafit tuaj, për punonjësit në sektorin e shëndetësisë që janë në vijën e parë në këto rrethana”, tha Soreca.

“Ishte një gjë e mrekullueshme që gjithçka u bë kaq shpejt. Falënderoj z. Williams për bashkëpunimin e shkëlqyer që patëm, dhe më lejoni t’ju tregoj pajisjet dhe makineritë që do sillen në Shqipëri. Këtë listë do ta nxjerrim dhe në rrjetet sociale që ta shihni se ku konsiston kjo mbështetje”, theksoi Soreca.

Soreca rikujtoi edhe një herë, “respektimin e distancimit fizik, qëndrimin në shtëpi pasi kjo situatë na prek të gjithëve dhe vetëm nëse bëhemi të gjithë bashkë do t’ia dalim”./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com