Loading...

Conte kritika ndaj rajoneve që parashikojnë lehtësimin e parakohshëm të kufizimit

Kryeministri italian, Giuseppe Conte kritikoi sot presidentët rajonalë që sfidojnë qeverinë duke lehtësuar para kohe masat kombëtare të kufizimit dhe paralajmëroi kundër një vale të dytë të përhapjes së koronavirusit.

“Iniciativat që përfshijnë masa më pak shtrënguese janë në kundërshtim me rregullat kombëtare dhe për këtë arsye jolegjitime”, theksoi Giuseppe Conte gjatë një fjalimi para Dhonës së Deputetëve.

Disa rajone po bëjnë presion në mbështetje të një lehtësimi sa më shpejt të masave kufizuese, mes më të ashprave në botë për shmangien e një krize shëndetësore që ka shkaktuar rreth 28 000 të vdekur dhe një krizë ekonomike.

Kalabria, pika jugore e këpucës italiane, autorizoi sot rihapjen e bareve, restoranteve dhe banesave rurale, duke ndjekur shembullin e Venecias që autorizoi hapjen e disa dyqaneve.

“Ne nuk mund të hedhim poshtë përpjekjet e bëra deri më tani me iniciativa të nxituara gjatë kësaj faze delikate. Të kalosh nga mbyllja e gjithçkaje tek hapja e gjithçkaje do të rrezikonte kompromentimin e të gjitha përpjekjeve”, theksoi Conte.

“Nëse niveli i përhapjes së virusit (R0), që është aktualisht mes 0.5 dhe 0.7 në Itali, kthehet në 1, shërbimet e kujdesit intensiv do të mbingarkohen përsëri”, paralajmëroi ai.

Me përjashtime të rralla, kufizimi do të fillojë të hiqet duke nisur nga 4 maji dhe në etapa graduale.

Sipas komitetit shkencor të ngarkuar me këshillimin e qeverisë, rihapja e njëkohshme e veprimtarive ekonomike, shkollave dhe vendeve të shoqërueshmërisë do të çonte në një rritje eksponenciale të pakontrolluar të përhapjes së koronavirusit./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com