Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi u shpreh sot se, qeveria ka dhënë ndihma për më pak se 10 mijë familje për situatën e krijuar prej pandemisë.
“Rreth orës 21.00 të çdo mbrëmjeje, qytetarët shqiptarë ushqehen me një gënjeshtër të re nga Edi Rama. Përmes regjimit të facebook-ut, ai njofton se qeveria ka furnizuar me ndihma rreth 10 mijë familje në ditë, 250 mijë familje gjithsej që nga mbyllja e ekonomisë. Kjo është një nga talljet e tij të zakonshme me shqiptarët që po vuajnë pasojat e keqmenaxhimit të krizës”, u shpreh Bardhi.
“E vërteta është shumë larg asaj që propagandon Edi Rama çdo mbrëmje. Megjithëse numri i atyre që kanë mbetur pa punë, i atyre që kanë më pak të ardhura ose që nuk kanë fare të ardhura është rritur ndjeshëm, qeveria ka shpërndarë më pak 10 mijë pako ushqimore për 50 ditë. Më saktë, 9 059 pako ushqimore nga Rezervat e Shtetit, siç tregojnë të dhënat zyrtare të Agjencisë për Mbrojtjen Civile”, shtoi Bardhi.
Kjo, nënvizoi Bardhi, “do të thotë se qeveria ka furnizuar me ushqime, mesatarisht, 3 familje në ditë për çdo bashki të vendit”./atsh