Loading...

Bardhi: PD shpërndan ndihma në të gjithë vendin, jo politikë më të pamundurit

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi, tha se PD nuk do të përdorë asnjëherë për politikë më të pamundurit, duke pozuar me ta për ndihmat që po shpërndajnë strukturat e PD në të gjithë vendin.

Bardhi shton se pak ditë më parë PS, përmes Taulant Ballës, Okta Xhaçkës apo Erion Veliajt, akuzoi PD se nuk po jepte asnjë ndihmë.

“Përfaqësuesit e PD janë çdo ditë në kontakt me qytetarët, duke ndihmuar me sa mundësi kemi qytetarët më nevojë, por, ndryshe nga Balla, Veliaj, Xhaçka që marrin nga 3 kameramanë për show dhe propagandë me pako në emrin e tyre, ne kemi vendosur të mos bëjmë propagandë me qytetarët në nevojë, ne kemi vendosur të mos bëjmë as foto, as video me njerëz që janë në nevojë. Kemi vendosur të mos pozojmë me ndihmat që u ofrojmë qytetarëve. Ne nuk kërkojmë të përfitojmë politikisht nga mjerimi i pjesës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë”, tha ai.

Po ashtu, Bardhi shton se “është kriminale që ndërsa i çon një pako oriz dhe një pako makarona, të dalësh foto me një person qe sot nuk ka mundësi të ushqejë fëmijët. Kjo është ta përdorësh atë person për politikë. Prandaj, ne e neverisim një formë të tillë ndihme. Kemi bërë dhe do të vazhdojmë të bëjmë detyrën tonë për të qenë pranë qytetarëve, së pari për të qenë zëri i tyre dhe së dyti, për të ndihmuar sa të mundemi. Taulant Balla dhe shokët e tij të partisë e dinë shumë mirë që strukturat tona po ndihmojnë aq sa munden me ndihma, familjet në nevojë. Unë mund t’ju dëshmoj raportet e përditshme të strukturave tona për ndihmën që po u ofrojmë qytetarëve, por kurrësesi, siç kemi vepruar me rastin e tërmetit, ne nuk bëjmë foto me persona të pamundur që mezi sigurojnë bukën e gojës për fëmijët e tyre”.

“Propagandën dhe shown me më të pamundurit ia kemi lënë asaj partie që gjithmonë i ka përdorur qytetarët si subjekte të fotove për propagandën e tyre. Ne nuk e kemi bërë kurrë këtë dhe nuk do ta bëjmë asnjëherë ketë. Do të ndihmojmë pa bërë show dhe propagandë me njerëz qe janë në kufijtë e mbijetesës.”- tha Bardhi. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com