Loading...

62-vjeçarja asimptomatike nga COVID-19, Ministria e Shëndetësisë: Ndërroi jetë nga sëmundja e rëndë në pankreas

Ministria e Shëndetësisë njoftoi sot se, nuk ka viktimë si pasojë e COVID-19 në Spitalin Infektiv, pasi shkaku i vdekjes së një pacienteje ishte sëmundja e rëndë në pankreas.
Lidhur me lajmin e publikuar në media për vdekjen e një pacienteje me COVID-19, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale informon se, gjatë ditës ka ndërruar jetë në Spitalin Infektiv një 62-vjeçare si pasojë e një sëmundje të rëndë kronike të pankreasit, me vdekshmëri shumë të lartë: pankreatiti nekrotizant.
“62-vjeçarja që vuante edhe nga kanceri dhe astma bronkiale, është sjellë ditën e djeshme në gjendje të rëndë nga spitali i Shkodrës, ku rezultoi bartëse e COVID-19, por pa shenja klinike të sëmundjes. Referuar shërbimit infektiv, 62-vjeçarja nuk ka ndërruar jetë si pasojë e COVID-19, pasi ishte asimptomatike për këtë sëmundje, por si pasojë e sëmundjes së rëndë të pankreasit”, thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Ministria e Shëndetësisë informon se do të mbajë të informuar publikun për çdo zhvillim, ndaj lutemi t’i referoheni njoftimeve zyrtare./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com