Gjatë 24 orëve të fundit, 24 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar totalin e të shëruarve nga COVID-19 në 455.
Ekspertja e Institutit të Shëndetit Publik, Dr. Eugena Tomini, në komunikimin e drejtpërdrejtë me mediet tha sot se “24 orët e fundit, 24 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve duke e çuar totalin e tyre në 455”.
Sipas saj, pavarësisht luhatjeve të të dhënave ditore situata vazhdon të jetë e kontrolluar.
“Tregues për këtë janë numri i qëndrueshëm i shtrimeve në spitale dhe numri i ulët i pacientëve që kanë pasur nevojë për frymarrje të drejtuar. Që kjo situatë të vazhdojë të jetë e kontrolluar dhe në kushtet e lehtësimit të disa masave, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje të gjithë qytetarëve që të vazhdojnë të respektojnë masat e vendosura, të respektohet distancimi fizik dhe ruajtja e higjienës personale”, – tha Tomini.
Tomini u shpreh se “këto masa duhet të respektohen makimalisht edhe brenda rretheve familjare, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye”.
Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40./atsh