Ish-deputetja e PD-së Albana Vokshi tha sot se duhen masa për të mbrojtur qytetarët dhe mjekët, situata nuk zgjidhet me gjoba dhe duke sulmuar opozitën.
Vokshi shtoi se “me gjoba nuk zgjidhet asgjë. Duhen masa mbrojtëse për stafin mjekësor, duhen tamponë dhe kite për testimin e popullatës, duhen pajisjet e nevojshme mjekësore për përballimin e fluksit. Asgjë prej këtyre në kohë, megjithëse kryetari i PD Lulzim Basha, prej ditësh, i ka bërë thirrje qeverisë të marrë masa për pajisjen e spitaleve me mjetet e nevojshme, përfshirë aparatet respiratore. Vazhdimisht, kryeministri e ka hedhur poshtë duke theksuar se spitalet kanë pajisje të nevojshme”.
“Situata nuk menaxhohet me shpalljet e gjobave dhe aq më pak, me sulme ndaj çdo propozimi të opozitës. Për shëndetin e mjekëve dhe të shqiptarëve duhen veprime të shpejta, që i paraprijnë përkeqësimit të situatës. Qytetarët kanë nevojë për dikë që qeveris dhe merr vendime në kohën e duhur për interesin e tyre”, tha ajo./atsh