Vendi ynë u përfshi nga temperatura të ulëta në 24 orët e fundit, ndërsa reshje dëbore pati kryesisht në veri dhe juglindje, ku trashësia arriti në 20 cm.
Autoriteti Rrugor Shqiptar informoi se të gjitha akset rrugore janë të kalueshme, ndërsa apeloi drejtuesit e mjeteve të tregohen të kujdesshëm për shkak të lagështisë në rrugë, të reduktojnë shpejtësinë dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore.
Në rajonin verior, sipas ARRSH-së, ka pasur reshje dëbore dhe është punuar në akset Kuben Vasije, Qafë Bualli-Krastë, Qafe Mali-Fierzë, Koplik-Bogë-Dedaj-Razëm, Qafë Çelë-Pukë, Qafë Dush-Peshkopi, në akset e Tropojës, në akset e Kukësit.
Në të gjitha këto segmente qarkullimi kryhet pa problem. Në Fushë-Bulqizë bora është shoqëruar edhe me erë të fortë.
Lëvizet me zinxhirë në Ura e Cerenecit-Stebleve dhe Trebisht-Doganë, ku trashësia e borës ka arritur në 20 cm.
Në rajonin jugor, vetëm në qarkun e Korçës ka pasur reshje bore, ku është punuar për pastrimin dhe shpërndarjen e kripës, qarkullimi, njoftoi ARRSH-ja, kryhet pa problem.
“Mjetet edhe punëtorët e mirëmbajtjes janë në gatishmëri dhe kanë marrë masat e duhura edhe për ditët në vijim në rast përkeqësimi të motit”, thuhet në njoftimin e ARRSH-së. /atsh