Loading...

Riatdhesimi me anije i 99 qytetarëve italianë dhe shqiptarë/ Ambasada e Italisë falënderon institucionet shqiptare

Ambasada e Italisë në Tiranë ka falënderuar sot institucionet shqiptare, GDF dhe kompaninë “Adria Ferries” të cilat në një moment kaq të vështirë kanë bërë të mundur riatdhesimin me anije të 99 shtetasve italianë dhe shqiptarë për në Itali.

Në një deklaratë për mediet, Ambasada e Italisë shprehet se “sot në mëngjes mbërriti në portin e Barit një traget i kompanisë “Adria Ferries”, i cili transportoi 99 persona, shtetas italianë dhe disa qytetarë shqiptarë me leje qëndrimi të rregullt në Itali, të cilët mbetën të bllokuar në Shqipëri”.

“Kjo procedurë u autorizua në mënyrë të jashtëzakonshme nga institucionet dhe autoritetet kompetente shqiptare me qëllim riatdhesimin në Itali të shtetasve te cilët informuan ambasadën italiane se kishin mbetur të bllokuar në Shqipëri me automjetin e tyre, duke dhënë arsye urgjente për kthimin në Itali për nevoja shumë serioze familjare. Midis tyre edhe dy mjekë shqiptarë te cilët iu përgjigjën menjëherë thirrjeve të strukturave shëndetësore në Itali, duke paraqitur kërkesë për kthim të menjëhershëm. Në këtë periudhë te madhe emergjence, shfaqet edhe me më shumë forcë marrëdhënia e veçantë midis vendeve tona dhe solidariteti i madh i një vendi mik si Shqipëria. Duartrokitje të veçanta për dy mjekët shqiptarë, të cilët kanë vendosur t’i përgjigjen menjëherë thirrjeve të strukturave të tyre shëndetësore për të ndihmuar kolegët italianë, duke iu bashkuar grupit të 30 mjekëve dhe infermierëve të dërguar të shtunën e kaluar nga Kryeministri shqiptar Edi Rama”, deklaroi ambasadori italian Bucci.

Ambasada italiane shton se “ për çdo kërkesë për asistencë, të gjithë qytetarët italianë janë të ftuar të përdorin adresën e e-mail-it të veçantë: [email protected]. Të gjithë aplikantët e tjerë të mundshëm janë të ftuar të lexojnë me kujdes urdhrin e fundit të lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit të datës 28 mars 2020 – e konsultueshme në faqen e internetit”. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com