Nuk jeni në shtëpi se dua unë, po sepse ka një armik që ka sulmuar vendin tonë”, iu drejtua sot Kryeministri Edi Rama qytetarëve, që reagojnë lidhur me masat e marra për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Rama siguroi qytetarët se “askush nuk do të bënte dot më shumë për ju, se sa po bëjmë dhe do të bëjmë deri në fund, unë dhe qeveria ime”.
“O ju vëllezër e motra që bëni ca pyetje sikur po vuani nga dora e robit, jo nga dora e Zotit. A do ta kuptoni edhe ju, siç e ka kuptuar shumica, se kjo është luftë e vërtetë dhe pyetja është: po t’i shihnit avionët që ju bombardojnë mbi kokë dhe plagët që hapin, a do ti bënit ato lloj pyetjesh?”, tha Rama.
Rama kujtoi se Presidenti i Francës mbrëmë i tha pesë herë popullit të tij: jemi në luftë!
“Ju lutem ndajeni mendjen: jemi në luftë! Nuk jeni në shtëpi se dua unë, po sepse ka një armik që ka sulmuar vendin tonë! Prandaj bëni secili luftën tuaj dhe bëni durim! Ne po bëjmë e do bëjmë gjithçka që është e mundur mbi këtë tokë, po nuk jemi Zoti dhe nuk zgjidhim dot me magji probleme e halle që janë reale, por që janë pjesë e të qenit në luftë!
Askush nuk do të bënte dot më shumë për ju, se sa po bëjmë dhe do të bëjmë deri në fund, unë dhe qeveria ime! Me mish e me shpirt”, tha Rama./atsh