Loading...

Rama: Javën që vjen nisin misionet e fluturimit për riatdhesimin e shqiptarëve, “Lasgushi” do t’i sjellë pa pagesë në shtëpi

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “javën që vjen do të nisim misionet e fluturimit për riatdhesimin e njerëzve tanë të mbetur rrugëve të Europës”.

Në një komunikim me qytetarët, Rama tha se ka marrë mesazhe të shumta nga bashkëqytetarët tanë që kanë ngecur prej ditësh e javësh në pika të ndryshme të kontinentit pas mbylljes së kufijve nga lufta.

“Kam marrë jo pak mesazhe nga studentë, nga prindër, nga familjarë të ndarë nga kufiri i mbyllur dhe me Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme dhe ambasadat tona kemi punuar realisht ditë natë, duke kontaktuar dhe duke listuar. Kemi zgjidhur disa raste sipas mundësive shumë të kufizuara që kemi pasur, por e dime shumë mirë, jemi plotësisht të vetëdijshëm për çfarë stresi e peripecish rriten përditë për njerëzit tanë që kanë mbetur rrugëve të Europës”, tha Rama.

Ai theksoi se grupi më i madh është në Itali ku janë 650 persona, në Britaninë e Madhe janë 114 persona, në Kroaci 341 persona, në Zvicër 77, në Greqi 45, në Gjermani 45, në Francë 37, në Suedi 21, Austri 19 dhe pastaj një sërë vendesh të tjera ku ka 1-2 deri në 11-12 persona.

Rama ndau lajmin e mirë se “ditën e hënë do të nisin fluturimet për t’i sjellë në atdhe”.

“Nesër do të publikojmë kalendarin e misioneve të riatdhesimit dhe pikat përkatëse ku do të bëjmë imbarkimin e personave të listuar tanimë”, tha Rama.

Ai theksoi se “këto misione do t’i kryejmë pa pagesë nga ana e individëve”. “I takon ‘Lasgushit’ t’i sjellë njerëzit tanë në shtëpi. ‘Air Albania’ është kompania e flamurit kuqezi dhe në këtë hall të madh kombëtar unë i kam kërkuar kompanisë të marrë përsipër barrën e të qenit shtëpia e shqiptarëve në qiejt e Europës dhe të mos kërkojë lekë për të kryer këto misione humanitare. Jam i lumtur se gatishmëria e kompanisë ka qenë e menjëhershme”, tha Rama.

Ai tha se ndërkohë Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë ka punuar dhe po punon për lejet speciale të këtyre fluturimeve çarter.

“Shpresoj miq që ky mesazh përcjell te ju edhe një të vërtetë tjetër. Unë nuk jap premtime pa u siguruar mirë që do të realizohen. Ndërkohë që ju ankoheni e ankoheni ne punojmë për ta adresuar gjithë tërësinë e ankesave. Ne nuk jemi një shtet i madh, as një shtet me fuqi të pakufijshme, por ju siguroj se përkushtimin e kemi të madh dhe fuqinë për të luftuar për Shqipërinë dhe shqiptarët e kemi të pakufijshme”, tha Rama.

Ai tha se “do të luftojmë kështu përditë, përnatë deri në fund duke besuar se do të bëni të gjithë luftën tuaj dhe do të na i bëni hallall vuajtjet e kësaj lufte që nuk e e solla unë, por nuk kemi rrugë tjetër”./atsh

https://www.facebook.com/Agjencia.Telegrafike.Shqiptare/videos/779056915951722/?t=0

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com