Kryeministri Edi Rama ka falënderuar qytetarët shqiptarë që jetojnë në Itali, për mesazhet mbështetëse të përcjella prej tyre në këtë situatë, ndërsa u ka kërkuar atyre të sensibilizojnë edhe të afërm të tyre në Shqipëri, që të zbatojnë masat.
“Faleminderit nga thellësia e zemrës të gjithëve ju që jeni në Itali dhe shkruani në faqen time fjalë të ndjera, të mençura, të vërteta nga zona e dhimbjeve më të mëdha të luftës.
Ju lutem shkruani sa të mundeni, kurdo e kudo mundeni përmes fejsbukut tuaj dhe foluni sa më shumë nëpër telefona të afërmve e miqve tuaj këtu në Shqipëri, jepuni kurajo e forcë duke u thënë të vërtetën! Ndihmoni që ata që s’e kanë kuptuar apo s’duan ta kuptojnë akoma, që jemi në një luftë të vërtetë dhe ankohen sikur jemi në një lojë kukamçefthi, të vijnë sa më shpejt në vete e të mbledhin mendjen! Viva l’Italia, Rroftë Shqipëria”, u shpreh Kryeministri./atsh