Kryeministri Edi Rama u bëri sot apel të rinjve që të qëndrojnë në shtëpi, ndërsa solli disa statistika që dëshmojnë se COVID-19 rrezikon seriozisht edhe të rinjtë dhe fëmijët.
“Mbrëmë shifrat e të prekurve në SHBA ishin të frikshme për një gjë, 40% e të shtruarve në spitalet amerikane janë nga mosha 20-45 vjeç dhe jo pak prej tyre janë në gjendje të rëndë. Është e vërtetë se ky armik i verbër në fuqinë e tij vrastare merr në botën tjetër përgjithësisht ata që janë më të moshuar dhe më të dobët, por është e pavërtetë që të rinjtë janë të paprekshëm. Madje edhe fëmijët nuk janë 100% të paprekshëm. Sot në Izrael luftohet për jetën e një fëmije 9-vjeçar”, tha Rama.
Ndaj ai iu drejtua të rinjve, studentëve, gjimnazistëve, që dalin në lagje për ajrosje ose që arrijnë të luajnë edhe basketboll si në një lagje në Tiranë mes orës 4 dhe 6, që të mos lëvizin nga shtëpia për asnjë arsye në botë sepse jo vetëm transportojnë bombat kur kthehen në shtëpi dhe vrasin prindërit apo gjyshërit, por mund të humbasin dhe jetën e tyre.
“Puseta e hapur dixhitale kishte përhapur fjalën se nuk shkoj në zyrë nga frika. Në fakt kam qenë i detyruar të shkoj përditë se ma ka dashur puna, por kjo është një kohë kur trimëri është të rezistosh sa me shume pa dale nga shtëpia dhe kur del të dalësh
vetëm nëse ke një punë të domosdoshme pa u shoqëruar me askënd dhe te mos prishësh radhën apo distancat kur shkon të blesh diçka. Po bëhet një përpjekje fantastike që do ta mbaj mend historia nëse nuk na e hedhin në plehra ata që nuk respektojnë ligjin e kësaj lufte. Janë pak, janë shumë pak në krahasim me popullsinë, por janë mjaft që të na e bëjnë gjëmën dhe të na e bëjnë pastaj këtë luftë një tragjedi kombëtare, mos e dhëntë Zoti me përmasa të paimagjinueshme”, tha Rama./atsh