Kryeministri Edi Rama drejtoi një tjetër apel të fortë ndaj qytetarëve që të respektojnë masat e vendosura nga qeveria për kufizimin e lëvizjes duke qëndruar në shtëpi, ndërsa solli shembullin tragjik të Italisë.
“O njerëz, o xhan! Po aman more si doni t’jua them juve që akoma dilni nëpër lagje për ajrosje, që do merrni në qafë familjen, miqtë, kalimtarë që nuk ju kanë asnjë borxh?! Jam gati t’ju ulem në gjunj dhe t’ju lutem: Mos!!! Mos! Mos se po hidhni në plehra sakrificat e një populli të tërë!!!”, tha Rama.
Kryeministri iu drejtua edhe atyre qytetarëve që mblidhen para dyqaneve dhe nuk respektojnë distancën në radhë. “Po ju o motra e vëllezër si doni t’ju lutem që të mos bëheni garrumbull kur shkoni për të blerë, po të mbani radhë në distancë dhe duroni sa t’ju vijë radha?! Jam gati t’ju shtrihem para syve dhe t’ju lutem: Mos!!! Mos!!! Mos , se po bëni mish për top familjen tuaj dhe dhjetëra njerëz të pafajshëm, duke u sjellë si tek dera e autobusit apo stadiumit”, shtoi kryeministri.
Rama ftoi qytetarët që të ndërgjegjësohen dhe të shohin se çfarë po heq Italia, ku po mbeten të vdekurit pa varr e po ikin me kamionë ushtrie rrugëve.
“Lexojeni çfarë shkruan ky postim, ku edhe kjo foto ku s’ka njerëz grumbull e as ecje për dore, quhet një skandal. Këta bëjnë vrap mes bombave të padukshme dhe pastaj u thërret vdekja njerëzit e shtëpisë, e s’u gjejnë dot më jo krevat në spital, po as një copë varr”, tha Rama./atsh