Kryeministri Edi Rama publikoi sot planin ekonomik të qeverisë për përballimin e situatës së COVID-19.
“Plani ynë për adresimin e nevojat për financimin të atyre që janë prekur drejtpërdrejt në ekonominë e tyre të përmuajshme ka 7 pika”, – theksoi Rama.
Plani ekonomik:
1- 2.5 miliardë lekë ose 25 milionë dollarë për luftën në vijën e zjarrit që vihet në dispozicion të Ministrisë së Shëndetësisë për pajisje e materiale shëndetësore apo mbështetje të të gjithë personelit të angazhuar mjekësor.
2- 10 miliardë lekë ose 100 milionë dollarë përmes instrumentit të një garancie sovrane për kompanitë që kanë vështirësi objektive për të paguar pagat e punonjësve të tyre.
3- 6.5 miliardë lekë ose 65 milionë dollarë për nevojat më imediate; për shtresat më në nevojë, për biznesin e vogël, për papunësinë e mundshme për shkak të luftës.
4- 2 miliardë ose 20 milionë dollarë që vijnë në dispozicion të Ministrisë së Mbrojtjes për operacionin humanitar.
5- 1 miliard lekë ose 10 milionë dollarë si fond rezervë për Këshillin e Ministrave për çdo urgjencë të paparashikuar.
6- Do të fshijmë përgjithmonë kamatëvonesat për debitorët aktivë që kanë konsum energjie sot, familjarë apo biznes i vogël, me efekt financiar deri në 15 miliardë lekë ose 150 milionë dollarë dhe nga kjo masë do të përfitojnë 211 024 abonentë.
7- Do të riskedulojmë në 6-mujorin e dytë të vitit 2020 dhe në vazhdim tatim fitimin për të gjithë biznesin deri në fashën nga 2-14 milionë lekë, ose nga 20-140 mijë dollarë xhiro.
Shtyrja e dorëzimit të bilanceve për një periudhë deri në 1 qershor të këtij viti për bizneset që dorëzojnë bilancet në QKB online ose drejtë për drejtë.
Nesër, datë 20.03.2020, ky plan do të hyjë në fuqi si Akti Normativ i ndryshimeve në Buxhetin 2020./atsh