Loading...

Pipero: Një mesazh që qarkullon për qytetarët jo imi, nesër para përgjegjësisë ata që luajnë me jetën e njerëzve

Mjeku Pëllumb Pipero u ka bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në banesa, ndërsa ka thënë se një mesazh që i atribuohet nuk është i tij dhe është i dënueshëm, pasi po luhet me jetën e njerëzve.

Pipero ndërsa ka shpjeguar se ai sms i publikuar nuk është i tij, ka theksuar se një mesazh i tillë është i dëmshëm për situatën që po kalon jo vetëm vendi ynë, por e gjithë bota.

“Sapo lexova një mesazh të tillë i cili jo vetëm nuk është dhe nuk mund të jetë i imi, dhe si i tillë është i dënueshëm, por mbi të gjitha është shumë i dëmshëm për situatën që kalon jo vetëm vendi ynë por gjithë bota nën peshën e një pandemie shumë serioze që deri tani ka shënuar mijëra viktima, dhe për të cilën ende nuk kemi një armë në dorë për ta luftuar, as medikamente të certifikuara dhe as vaksinë. E vetmja armë që kemi është në duart tuaja, të qëndroni në shtëpi, të bëni durim dhe të respektoni këshillat tona. Mesazhe si ky që po lexoni janë shumë të dëmshme, madje dhe të dënueshme! Këshilloj këdo që guxon e shkruan në emrin tim sot, ose të kolegëve të mi nesër, të mos luajë kësisoj. Sot ne kemi përballë koronavirusin dhe duhet të mjekojmë të sëmurët e të gjurmojmë e identifikojmë rastet e kontaktit, nesër ligji do gjurmojë e vërë para përgjegjësisë të gjithë ata që guxojnë të luajnë me jetën e qytetarëve! Faleminderit! PS. Emrin e marrësit të mesazhit e kam fshirë”, -sqaroi Pipero.

Në mesazh thuhet se “duke filluar që sonte ju dhe familja juaj do të duhet të vetëkarantinoheni sepse një i afërm i juaj ka dalë pozitiv në testet e COVID-19. Në ditët në vazhdim do ju merren edhe ju tamponat. Me respekt Pëllumb Pipero”. /atsh