“Thirrjes për të shërbyer vullnetarisht në vijën e parë të luftës me koronavirusin i janë përgjigjur deri tani 497 mjekë dhe 617 infermierë”, bëri të ditur sot kryeministri Edi Rama.
Rama tha se “ky është një lajm i bukur që dëshmon gatishmërinë njerëzore dhe profesionale në këtë kohë të errët për vendin”.
“Lajmi i bukur fare sot është se thirrjes sonë, të Ogertës dhe dekanit të Fakultetit të Mjekësisë dje, për të shërbyer vullnetarisht në vijën e parë të luftës me armikun, i janë përgjigjur deri tani 497 mjekë dhe 617 infermierë. Një gatishmëri njerëzore dhe profesionale që në këtë kohë të errët për vendin realisht të rrënqeth mishin për humanizmin dhe patriotizmin e mbi 1 mijë bluzave të bardha, gra e burra, që pa asnjë detyrim janë gati të sakrifikojnë jo pak për të kuruar plagë dhe shpëtuar jetë të rrezikuara shumë seriozisht”, tha Rama.
Ndërsa shprehu mirënjohjen për të gjithë, Rama përsëriti se për të gjithë mjekët dhe infermierët që janë aktualisht në atë vijë zjarri, paga e marsit do të jepet me një bonus prej 1 mijë eurosh, që do të vazhdojë mbi rrogën edhe në muajt në vijim deri në përfundimin e kësaj lufte”.
“Ky bonus do t’i jepet dhe të gjithë vullnetarëve që do të thirren në front dhe është më e pakta që e mund të bëjmë për bluzat e bardha që përsëri, njësoj si pas tërmetit, por këtë herë në një situatë pakrahasimisht sfiduese për ta, po e tregojnë se sa të padrejtë jemi kur vetëm i shajmë dhe i përbaltim mjekët dhe infermierët me lloj-lloj komentesh në jetën e përditshme”, tha Rama. /atsh