Rreth 664 mijë pensionistë do të përfitojnë një indeksim me rreth 2.4% të pensionit të tyre nga data 1 prill.
Vijimi i kësaj reforme është konfirmuar nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj e cila deklaroi në një intervistë se indeksimi i pensioneve për gati 664 mijë pensionistë do të niste nga muaji prill.
“Indeksimi i pensioneve ka qenë i parashikuar në buxhetin e miratuar në fund të vitit të kaluar dhe buxheti i miratuar është në vlerën 2.5 miliardë lekë. Masa e indeksimit shkon në varësi të informacionit që marrim nga INSTAT dhe po shikojmë mundësinë të jetë në masën e rreth 2.4%. Do të jetë efektiv për pensionin e muajit prill”, deklaroi Denaj.
Në bazë të reformës së pensioneve të miratuar në vitin 2015, tashmë është detyrim i përvitshëm indeksimi i pensioneve me indeksin e çmimeve të shportës./atsh