Mjeku epidemiolog Alban Ylli tha sot se përhapja e COVID-19 kalon në dy faza dhe Shqipëria ndodhet pranë fazës së dytë.
Në një lidhje direkte për një studio televizive, Ylli komentoi situatën e krijuar në vend, pas përhapjes së COVID-19.
Faza e parë, sipas tij, dyfishon numrin e të infektuarve çdo pesë ditë, kurse faza e dytë thekson doktori rrit eksponencialisht në çdo dy apo tri ditë numrin e të infektuarve.
Ai theksoi se shteti fqinj i Italisë dhe shumë vende të Europës Perëndimore ndodhen aktualisht në fazën e dytë.
Sipas epidemiologut, Shqipëria ndodhet shumë pranë fazës së dytë, por beson fort në faktin se masat e aplikuara prej autoriteteve për distancimin social do të japin impakt pozitiv në uljen e kurbës së epidemisë.
“Duhet të theksojmë se çdo epidemi në secilin vend ndjek linja karakteristike, por megjithatë ka diçka që i bashkon ato. Pas fazës së parë, ku rastet fillojnë të përhapen në popullate me një ritëm, i cili dyfishohet çdo pesë ditë, vjen një fazë e dytë që quhet faza eksponenciale e epidemisë gjatë të cilës rastet dyfishohen çdo dy apo tri ditë. Pra, kjo është faza ku ndodhet sot Italia dhe shumica e vendeve të Europës Perëndimore”, tha ai.
Sipas Yllit, “Shqipëria duket se është afër kësaj faze, por unë shpresoj që masat drastike të marra në vendin tonë për distancimin social kanë filluar në kohën e duhur”.
“Ndoshta ne do të kemi mundësi të shohim një qarkullim më të ngadalësuar të virusit dhe zbutje të kurbës se epidemisë, nga njëra ana për të shpëtuar jetën e individëve dhe për të ulur stresin mbi sistemin shëndetësor”, tha ai.
Gjithashtu mjeku ka dhe një apel të fortë për të gjithë qytetarët, ku kërkon prej tyre respektimin me rigorozitet të të gjithë rregullave të caktuara nga autoritetet shtetërore
“Është thelbësore për sot të zbatohen masat, sepse kjo do të bëjë të mundur që kurba e epidemisë në Shqipëri do të ndjekë një profil të ndryshëm nga ajo që vihet re në Itali”, shtoi ai.
Ylli tha se “nga ata që janë konfirmuar me COVID-19 në Shqipëri, ka një lidhje të qartë me epideminë italiane, në shumicën dërrmuese ata janë të lidhur me epideminë italiane dhe ende duket se virusi nuk ka filluar qarkullimin intensiv në popullatën shqiptare”.
I pyetur lidhur me kapacitetin e testimeve në Shqipëri, Ylli tha se në fazën në të cilën ndodhemi, nëse do të shohim treguesit, Shqipëria ka një ritëm testimi të ngjashëm me Italinë. “I rëndësishëm është niveli i pozitivëve mes atyre që testohen, ne e kemi të ngjashëm me Italinë dhe e kemi mes 7-8%, SHBA e kanë rreth 20%. Nuk e besoj se do të jetë e nevojshme në këtë fazë që Shqipëria të ndjekë modelin e Koresë së Jugut, ku është kryer testimi masiv i popullatës ku 99% apo 98.5 % e të testuarve dilnin negativë”, tha ai.
Për fazën në të cilën ndodhemi, Ylli tha se testimi është i arsyeshëm. “Me zhvillimin e mëtejshëm të epidemisë Shqipëria do të adaptohet si nga pikëpamja e stokut të kiteve, por edhe nga pikëpamja e ndjekjes së rasteve në terren. Epidemiologët janë duke kryer gjurmim të rasteve, janë duke identifikuar mbi 50% të kontakteve dhe duket se kjo ka dhënë efektin e vetë nga pikëpamja e testimit dhe një frenim fillestar të qarkullimit të rasteve të ardhura nga Italia”, tha ai.
Mjeku epidemiolog tha se “asnjë vend në botë nuk besoj se do të kalojë lehtësisht një epidemi të kësaj natyre, ku sistemi i vetë shëndetësor nuk do të ketë asnjë problem”.
“Sistemi shëndetësor pa dyshim do të vendoset nën stres. Unë besoj nga përvojat e kaluara të vendet e tjera, që e kanë kaluar këtë epidemi, Shqipëria me sistemin e vetë shëndetësor ka një aftësi për t’u adaptuar në kohë me kriza të tilla, emergjenca të tilla. Ndaj kam besim se Shqipëria do të adaptohet në kohë me krizën para së cilës ndodhemi dhe do të përballoj me kujdesin e nevojshëm klinik dhe të ndihmës respiratore për të gjithë personat që do të kenë nevojë”, tha ai.
Ylli theksoi se të gjithë sistemet shëndetësore në botë janë të mbushura me stres, ndaj dhe individët që kanë shenja të lehta nuk është e nevojshme të kërkojnë ndihmën mjekësore”./atsh