Kryeministri Edi Rama shprehu sot besimin se “se me kontributin e secilit Shqipëria do të dalë kryelartë nga kjo luftë me COVID-19”.
Në një mesazh drejtuar shqiptarëve pas çeljes së negociatave, Rama tha se “nuk do të bënim festë, edhe sikur kjo ‘PO’ e shumëpritur dhe e plotësisht e merituar të na gjente në kohë paqeje”.
Rama tha se “sot ka vetëm një festë në mendjen time, festa e çlirimit nga armiku i padukshëm që na ka sulmuar egërsisht”.
“Sot unë jetoj çdo ditë për atë ditë, si një ditë e madhe çlirimi kur do t’ia kemi dalë t’i mbijetojmë kësaj lufte, duke i ulur me gjithçka kemi mundur humbjet e jetëve dhe lehtësuar vuajtjet e saj të mëdha, falë rezistencës sonë popullore! E dua atë ditë, si një ditë lotësh dhimbjeje për ata që nuk u mbijetuan dot plagëve të sulmit armik dhe lotësh gëzimi për shpëtimin e mijëra e mijëra jetëve, falë solidaritetit të madh kombëtar e njerëzor të familjes së bashkuar shqiptare! E dua atë ditë, si një ditë të madhe vetëdijeje kombëtare e qytetare për forcën e për mirësinë e shpirtit shqiptar, që po sprovohet rëndë në këtë luftë, e cila jam përditë e më i bindur, do të na forcojë e bëjë më të mirë si njerëz e si vend”, tha Rama.
Kryeministri u kërkoi shqiptarëve që të binden e të kenë besim e bëjnë durim. “Motra e vëllezër dhe le të shohim bashkërisht jo vetëm errësirën e kohës së mallkuar që po kalojmë, po edhe dritën që ka sjellë me vete kjo errësirë; dritën që na kujton se jemi të gjithë njësoj, pa dallim feje, krahine, ideje e statusi shoqëror; jemi të pandashëm nga njëri-tjetri në këtë atdhe, për sa kohë do të kemi frymë e nuk kemi se si jemi tjetër, përveçse anëtarë të së njëjtës familje shqiptare, që sot, kur jemi të ndaluar të jetojmë siç jemi mësuar përditë, na jepet mundësia të kuptojmë se sa shumë e se sa kot qahemi në të përditshmen tonë”, tha ai.
Rama kërkoi që “ta shohim në këtë errësirë dritën që na kujton se sa e shkurtër dhe e çmuar është jeta dhe se sa jetike është të kuptojmë vlerën e njëri-tjetrit, e se sa shumë kohë dhe energji na marrin kotësitë në jetën tonë të përditshme”.
Le ta shohim në këtë errësirë, vijoi ai, “se sa e çmuar është drita e familjes dhe jeta e përbashkët në shtëpitë tona, që aq pak e vlerësojmë si dhuratë te paçmueshme në të përditshmen tonë dhe aq shumë e marrim të mirëqenë duke harruar t’i gëzohemi e të kujdesemi pa pushim për ushqimin e saj me energji”.
“Le ta shohim në këtë errësirë dritën që na ndihmon të shohim fare qartë se sa i madh mund të jetë durimi ynë, i shqiptarëve të paduruar, për të përballuar vështirësi të jashtëzakonshme; se sa i madh mund të jetë vullneti ynë, i shqiptarëve që nuk bëhen dot bashkë, për t’ia dalë në një qëllim të përbashkët; se sa e madhe është rezerva e energjive dhe solidaritetit tonë si njerëz e si popull i Shqipërisë, që medemek, nuk bëhet”, tha ai.
Kryeministri tha se ka marrë shumë përgëzime nga kolegë e miq të huaj për masat shtrënguese që kemi marrë, për shpejtësinë me të cilën kemi vepruar dhe për mënyrën se si po e zhvillojmë këtë luftë.
Kam shumë besim, tha Rama, “se me kontributin e secilit prej jush, Shqipëria do të dalë kryelartë nga kjo luftë dhe respekti për këtë vend e për shtetin tonë do të rritet më tej”.
“Por kjo do të jetë thjesht rrjedhojë e qëllimit të luftës që ne po bëjmë e do të bëjmë përditë, jo për botën, po për veten, jo për BE-në po për Shqipërinë, jo për të fituar respektin e të huajve, po për të merituar në radhë të parë respektin e fëmijëve tanë për mënyrën se si e zhvilluam edhe këtë luftë”, tha Rama.
“M’i bëni hallall përsëritjet e vazhdueshme të apeleve të mia; m’i bëni hallall mesazhet e mia ku shpesh fjalët e mia kanë tone të forta; m’i bëni hallall kujtesat e mia të përsëritura pa pushim, për të këqijat e mëdha që na rrezikojnë nëse nuk jemi të kujdesshëm! Nuk dua t’ju mërzis, nuk dua t’ju lodh, nuk dua aspak t’ju frikësoj, por jam i detyruar të këmbëngul deri në bezdi me komunikime të shpeshta me ju, sepse dua t’jua përcjell sa më shumë shqetësimin e madh që kam për secilin prej jush, e për ju të gjithë! Më shumë se asnjëherë ju jeni familja ime dhe asgjë që do të bëja për familjen time në një hall të madh, nuk do ta lë kurrsesi pa bërë për ju”, tha Rama./atsh