Presidenti i Republikës, Ilir Meta deklaroi sot se pas dy ditësh do të thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ku do të ftojë edhe kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Bashën.
Në një intervistë televizive, Presidenti Meta nënvizoi se si pasojë e koronavirusit, duhet të ketë unitet dhe se nuk është koha për përfitime politike.
“Unitet përballë pandemisë ka qenë qasja ime që me fillimin e kësaj pandemie. Pas dy ditësh do të thërras mbledhjen e Këshillit të Sigurisë ku do t’i bëj ftesë edhe z. Basha që të shprehë aty disa nga pikëpamjet e tij dhe të njihet me masat që janë marrë nga qeveria. Qasja duhet të jetë gjithëpërfshirëse. Nuk është koha për të nxjerrë përfitime politike nga askush”, u shpreh Meta.
I pyetur për një tryezë të përbashkët me të gjithë aktorët politikë në vend për të dhënë një mesazh për qytetarët në këtë periudhë të vështirë si pasojë e pandemisë së koronavirusit, Meta tha se, këto mesazhe janë dhënë. “Angazhimi ka qenë maksimal i të gjithë aktorëve. Pa dyshim mund të jetë e nevojshme dhe do të ketë besoj edhe zhvillime të tilla në interes jo thjesht të dhënies së një mesazhi vizual, por për të bërë një vlerësim të situatës ku jemi dhe për të pasur një perspektivë më të qartë sipas të gjithë skenarëve qoftë pandemia, qoftë edhe situata ekonomike që ka pasojat e saj”, tha Meta.
I pyetur mbi masat e marra në kuadër të parandalimit të përhapjes së koronavirusit COVID-19 në Shqipëri, Meta u shpreh se, “masat mund të jenë edhe më drastike në kuptimin e kufizimeve. Pra njerëzit nuk duhet të ankohen pse po merren këto masa, pasi këto masa po merren për të mirën e tyre. Po merren dhe në vende të tjera të botës. Nuk bëhet fjalë për kufizimin e tyre, por për të mos lejuar përhapjen e virusit”.
Meta kërkoi që “masat të jenë sa më efikase, në mënyrë që efektet e këtij izolimi të jenë maksimale”.
Meta u ndal edhe tek plani ekonomik i qeverisë dhe opozitës për zgjidhjes e kësaj situate. Meta tha se këto plane i shikon si një interes të përbashkët për të mbrojtur të gjithë qytetarët.
“Në radhë të parë është e rëndësishme që qeveria ka reaguar dhe së dyti është e rëndësishme që të detajohet ky plan dhe kjo gjë po bëhet. Ky është reagimi i parë në varësi të zhvillimit të mëtejshëm, pasi ka disa skenarë për të përballuar këtë pandemi”.
I pyetur se cili plan është më i mirë i opozitës apo i qeverisë, Meta tha se, “nuk është një pyetje për mua se unë nuk jam gjykatës, për mua është e rëndësishme që ka një ndjenjë angazhimi dhe nga opozita dhe ka kërkuar masa. Por dhe qeveria disa nga propozimet e opozitës i ka marrë në konsideratë. Unë shikoj një interes të përbashkët për të mbrojtur të gjithë qytetarët”.
Meta tha se ka pasur komunikim me qeverinë për të gjithë hapat e ndërmarrë për frenimin e përhapjes së COVID-19.
“Rëndësi ka që qeveria doli me një plan masash për ekonominë. Edhe opozita është treguar e përgjegjshme. Qeveria ka implementuar disa propozime të opozitës. Unë shoh se po punohet për një interes të përbashkët”, tha Meta.
Presidenti foli edhe për takimin që pati sot me ambasadoren e SHBA, Yuri Kim.
“Është një takim normal në kuadër të takimeve të vazhdueshme që bëjmë. Ndihma e tyre nuk na ka munguar, në çdo kohë. Biseduam edhe për koronavirusin. Është momenti që të ndihmojmë më shumë veten”, tha Meta.
Meta tha se Shqipëria i ka përgjegjësitë dhe kapacitetet për të përballuar koronavirusin.
“Shqipëria i ka përgjegjësitë dhe kapacitetet për të përballuar koronavirusin. Të bëhen më shumë testime, për kontaktet e të konfirmuarve pozitiv. Të mos nënvlerësohet”, tha Meta.
Meta u ndal edhe tek shtetasit shqiptarë që kanë mbetur jashtë territorit.
Meta tha se shqiptarët duhet të presin një moment më të favorshëm për t’u kthyer në Shqipëri.
“Të rrinë në kontakt me ambasadat në çdo moment. Ne do të gjejmë momentin e duhur për të bërë një organizim që ato të kthehen. Ambasada në Romë për shembull ka bërë një punë shumë të mirë”, tha Meta.
I pyetur në lidhje me debatin mes Presidentit dhe mazhorancës për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Meta tha se, “nuk ka pasur asnjëherë debat të Presidentit me askënd për Gjykatën Kushtetuese, sepse Presidenti ka zbatuar pikë për pikë Kushtetutën për këtë gjë”.
Në lidhje me shtyrjen për në qershor të vendimit të Komisonit të Venecias, Meta tha se, “nuk kam arsye të flas për këtë çështje. Është e qartë që Kushtetuën e Republikës së Shqipërisë dhe sidomos pjesën e Gjykatës Kushtetuese e ka shkruajtur vetë Komisioni i Venecias dhe presidenti ka zbatuar atë që ka shkruar gërmë për gërmë Komisioni i Venecias”.
Meta nënvizoi se, “edhe për situatën aktuale Kushtetuta i ka parashikuar të gjithë mënyrat sesi duhet menaxhuar në interes të popullit shqiptar”.
Presidenti Meta foli edhe për karantinën e tij, pasi rezultoi negativ në një test që iu bë për koronavirusin, duke qenë se një person në palestrën që frekuentonte presidenti rezultoi pozitiv me COVID-19.
‘Këto ditë i kam kaluar mes zyrës dhe banesës që po jetoj këto ditë. Pak në zyrë dhe pak në banesë. Kam reduktuar sa më shumë kontaktet. Nuk ka më dhënie dore, dhe për këtë m’u desh kohë ta pranoja. Fëmijët janë këtu. Po qëndrojnë në karantinë. Po bëjnë studimet online. Nuk ka shumë përkëdhelje dhe ata e kanë mirëkuptuar këtë, tha Meta.
I pyetur për testin që bëri, Meta tha se, “jam shumë i lumtur që e bëra testin për koronavirus. Mora një informacion që kisha qenë në palestër, ku një frekuentues kishte rezultuar pozitiv. Prandaj e bëra testin për koronavirusin”.
I pyetur nëse kishte ndonjë shqetësim, Meta tha se, “kisha vetëm një shqetësim. Dy ditë më parë kisha takuar ministren e Shëndetësisë dhe taskforcën, pasi u kisha dhënë dorën”.
I pyetur nëse duhen kryer më shumë teste Meta tha se, “patjetër që duhen të bëhen me shumë, sidomos ata që dyshojnë”./atsh