Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi sot se në rast se qytetarët nuk respektojnë rregullat dhe masat drastike të ndërmarra nga qeveria, sipas planit parashikohen qindra të prekur me koronavirus.
“Plani ynë i bazuar në planin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në tre drejtime kryesore, kufizo përhapjen e virusit, vono përhapjen e tij, lehtëso pasojat e tij ka rëndësi edhe në atë që po bëjmë sot si qeveri dhe ministri e Shëndetësisë duke zbatuar një plan masash agresiv, një plan masash i cili ndryshon çdo ditë në bazë të dinamikës dhe të gjithë ngjarjeve që ndodhin në territor në raport me epidemiologjinë, në raport me zbulimin e rasteve dhe kontakteve të tyre. Është e rëndësishme për të theksuar dhe për t’iu dhënë një informacion sesi qëndron e vërteta kur flasim për zbatimin e rregullave dhe prandaj e kemi vënë theksin në zbatimin e rregullave. Sa më shumë masa marrim në këtë moment duke forcuar ditë pas dite masat, aq më shumë, aq në kurbën normale që është kurba lejla, ne do të vijojmë normalitetin e pandemisë sa i përket asaj që do të ndodhë në Shqipëri. Ne kemi realizuar disa skenarë. Sigurisht që këto janë skenarë që rifreskohen çdo ditë, janë fleksibël. Në skenarët tanë ne parashikojmë disa qindra të prekur në Shqipëri, të cilëve padyshim duhet t’u ofrojmë mundësinë që të marrin shërbimin adekuat në sistemin tonë shëndetësor”, -u shpreh Manastirliu.
Duke iu referuar grafikut të Qendres së Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve, ajo tha se “në këtë grafik të thjeshtë dhe shumë të kuptueshëm të Qendrës së Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve i cili thotë se nëse ne nuk i zbatojmë rregullat e nëse nuk merren masat e duhura, atëherë vendos në rrezik sistemin shëndetësor sepse nuk arrin dot sistemi shëndetësor të përballojë fluksin që do të shkojë në spitale për raste të cilat duhet të trajtohen. Dhe duhet të kuptojmë diçka që sistemi duhet të jetë i përgatitur jo vetëm për raste që janë dhe duhet të trajtohen me koronavirusin e ri por ndërkohë duhet të trajtojë të gjitha rastet të cilat vuajnë nga sëmundje të tjera, të cilat kanë nevojë të marrin shërbim shëndetësor”.
Ministrja u bëri apel edhe mjekëve e infermierëve të jenë të kujdesshëm.
“Thirrja edhe njëherë: sa më shumë ne të zbatojmë masat që qeveria ndërmerr aq më pak kosto do të kemi. Ndaj është momenti i duhur që të reflektojmë për sjelljen individuale. Pikërisht, kjo kurbë apo këto kurba na mësojnë si të sillemi, çfarë të masash të marrin dhe të vlerësojmë kapacitetet tona. Sigurisht që, kapacitete tona varen nga shumë elementë që është numri i mjekëve, infermiereve, mundësia për t’u ruajtur për mjekët dhe infermierët është shumë e rëndësishme nëpërmjet materialeve të mbrojtjes personale, pajisjeve të mbrojtjes personale, sepse ka shumë rëndësi që mjekët dhe infermierët të mos preken nga virusi. Kam një thirrje për mjeket dhe infermierë: ju lutem të jeni të kujdesshëm dhe mos neglizhoni në përdorimin e mjeteve mbrojtëse sipas OBSH”, -tha ndër të tjera Manastirliu./atsh