Policia Metropolitane e Londrës ka kërkuar nga oficerët në pension që të kthehen në punë për të ndihmuar në përballjen me krizën e koronavirusit, që mund të arrijë nivele të pashembullta në kryeqytetin britanik.
“Kërkesat për ne do të rriten dhe do të ndryshojnë gjatë javëve të ardhshme, por unë dua që njerëzit të dinë dhe të shohin se Policia Metropolitane është këtu për ta”, tha komisarja e policisë, Cressida Dick.
Ajo gjithashtu u kërkoi oficerëve që ishin afër pensionit që të konsideronin qëndrimin e mëtejshëm.
ëKërkesa erdhi pasi gjysmë milionë britanikë u paraqitën vullnetarë për të ndihmuar shërbimin kombëtar të kujdesit shëndetësor të vendit.
“Oficerët e policisë në mënyrë të përkushtuar punojnë për të ndihmuar njerëzit dhe për të bërë një ndryshim, dhe kjo dëshirë do të jetë po aq e fuqishme sot, sikur që ishte në ditën e parë kur u bashkuan. Kam shpresën se ish-kolegët tanë me përvojë dhe njohuri të jashtëzakonshme do të vendosin të kthehen dhe të jenë pjesë e ekipit tonë dhe të mbështesin Londrën në këtë kohë të jashtëzakonshme”, theksoi ajo.
Sipas shifrave zyrtare, numri i vdekjeve nga koronavirusi në Britaninë e Madhe ka arritur në 578./ /atsh