Procesi i lirimit përkohësisht të 600 të dënuarve, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të personave të privuar nga liria për shkak të rrezikut që mund t’i vijë nga pandemia COVID 19, ka nisur me shqyrtimin në imtësi të dokumentacionit të të dënuarve.
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, në një mesazh të publikuar sot, thekson se ky proces do të kryhet për 5 ditë nga komisionet përkatëse të IEVP-ve dhe me pas Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve brenda 3 ditëve do të lëshojë urdhrin e lirimit të përkohshëm.
“Dje gjatë mbledhjes së posaçme të Këshillit të Ministrave, mbi masat e marra për përballimin e situatës së COVID-19, raportova mbi ecurinë e zbatimit të aktit normativ për lirimin e përkohshëm të një pjese të të dënuarve, me qëndrim të përkohshëm në shtëpi”,- thekson Gjonaj.
“Këto masa merren me qëllim mbrojtjen e shëndetit të personave të privuar nga liria për shkak të rrezikut që mund t’i vijë nga kjo pandemi. Për çdo të dënuar, Komisionet e ngritura në çdo IEVP, janë duke shqyrtuar me imtësi dokumentacionin e plotë administrativ dhe po kryejnë verifikimin e duhur me prokuroritë e rretheve, policinë dhe komisionin disiplinor të burgjeve për të përmbushur elementët e përcaktuar në aktin normativ me qëllim garantimin e sigurisë”,- tha Ministrja e Drejtësisë.
“Ky proces do të kryhet për 5 ditë nga komisionet përkatëse të IEVP-ve dhe me pas Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve brenda 3 ditëve do të lëshojë urdhrin e lirimit të përkohshëm. Çdo komision i IEVP-ve gjendur në këtë situatë, po merr kontaktet me familjarët e të dënuarve për të plotësuar dokumentacionin e kërkuar dhe për të dhënë dakordësinë e qëndrimit në të njëjtën banesë. Formularët e proçedurës për çdo të interesuar gjenden të publikuara në faqen e DPB: ➡http://www.dpbsh.gov.al/newweb/…“,-përfundon Gjonaj./atsh