Kryeministri Edi Rama ka apeluar sot të gjithë që të shmangin sa më shumë lëvizjet për të mos përhapur koronavirusin.
“Fëmija yt nuk rrezikohet në jetën e tij larg qoftë, por duke pasur kontakte të afërta fizike jashtë shtëpisë mund ta transportojë virusin jashtë shtëpisë. Vajza dhe djem që me të gjithë të drejtën e Zotit dhe të robit kanë dëshirë që të shkojnë dhe të argëtohen në mbrëmje duhet ta dinë që u bënë shumë party në Milano me temën ne s’pyesim për koronën. Ashtu sikundër u bënë edhe shumë shfaqje aerobike në palestra ne i thyejmë brinjët koronës. Nuk janë gjëra të duhura, përkundrazi janë me dëm të madh për të gjithë’, tha Rama.
“E dyta ti mund të mos e marrësh vesh kurrë që e kishe koronavirusin. 80% s’kanë për ta marrë vesh kurrë sepse e ke dhe s’ka asnjë simptomë, por t’i e transporton dhe tek dikush shfaqet një simptomë dhe tek dikush tjetër që është hallka më e dobët godet. Kjo është arsyeja që nuk është çështja sa trima apo guximtarë jemi, por sa të vetëdijshëm dhe sa solidarë jemi. Sa të gatshëm jemi, duke sakrifikuar një stil jetese që është e përditshmja jonë dhe duke e vendosur të përditshmen tonë në atë pikë ku jemi të frontit të madh të një lufte me një armik të padukshëm”, theksoi Rama.
Për mediat, Rama tha se, ”sigurisht që mund të jemi të detyruar që të shkojmë larg edhe në raport me mediat, por midis të shkuarit larg në raport me mediat, për t’u siguruar që nuk ka burime faktesh alternative, sepse faktet janë një. Mendimet janë alternative dhe me këtë rast nuk është koha për të dhënë mendime për çështje që janë strikte të kufizuara në fushën e një grupi të ngushtë njerëzish, ekspertësh dhe autoritetesh të shëndetësisë, por padyshim që shumë më mirë është që me atë fuqi dhe me atë mundësi për të komunikuar me ata që ju ndjekin të bëni më të mirën që në këtë luftë të fitojë qetësia, vendosmëria, informacioni dhe gatishmëria dhe jo paniku, pasiguria, ankthi e kështu me radhë”.
“E përsëris këtu s’ka vend për frikë. Nëse sot mesazhi im ishte ndryshe nga ditët e tjera, sepse sot është një ditë ndryshe nga ditët e tjera. Nesër do të jetë një ditë tjetër nga ditët e tjera. Vetëm kështu ne mund ta fitojmë këtë luftë. Ndryshe na merr përpara inercia e të marrurit me sportivitet të një beteje që është luftë nuk është lojë”, tha Rama./atsh