Loading...

Koronavirusi/ Ngrihet infrastruktura për shërbimin e karantinës në “Shtëpinë e pushimit”, në Durrës

Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për marrjen e masave për ngritjen e infrastrukturës për shërbimin e karantinës dhe për një shtesë fondi në buxhetin e miratuar për Ministrinë e Mbrojtjes.

Në mbledhjen e sotme, qeveria vendosi caktimin e shtëpisë së pushimit të ushtarakëve të FARSH-it, prona nr.231, me emërtim “Shtëpia e pushimit të ushtarakëve”, me vendndodhje në Plepa, Durrës, si strukturë për shërbimin e karantinës, në funksion të marrjes së masave për parandalimin e përhapjes së infeksionit nga COVID-19.

Po ashtu, u caktua Ministria e Mbrojtjes si autoritet kontraktor për zhvillimin e procedurave të prokurimit për rikonstruksionin e objektit prona nr. 231, me emërtim “Shtëpia e pushimit të ushtarakëve”, me vendndodhje në Plepa, Durrës, për përshtatje si infrastrukturë karantine; blerje mallrash/pajisjesh për përshtatjen e dhomave për nevoja të karantinës;
sigurimin e ushqimit të gatuar sipas nevojave; sigurimin e shërbimit të lavanderisë.

Ministrisë së Mbrojtjes, në buxhetin e miratuar për vitin 2020, i shtohet, përkatësisht, fondi prej 13 824 000 lekësh dhe 11 milionë lekësh.

Efektet financiare të këtij vendimi përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2020.

Ministria e Mbrojtjes do të koordinojë punën me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për përcaktimin e kushteve dhe kërkesave për funksionimin optimal të objektit të caktuar si infrastrukturë karantine.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale duhet të marrë të gjitha masat për të siguruar shërbimin shëndetësor dhe psiko-social për personat që vendosen në karantinë, sipas legjislacionit në fuqi. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com