Presidenti Ilir Meta vlerësoi sot angazhimin dhe masat e marra deri tani nga institucionet shtetërore përfshirë dhe vendimet e qeverisë sot, ndërsa i ftoi shqiptarët të përballojnë me qetësi këtë situatë, të respektojnë këshillat mjekësore, të ndjekin dhe të zbatojnë sugjerimet e institucioneve shtetërore.
Në një konferencë për shtyp, Meta tha se “nuk ka vend për panik, por nuk ka vend as për nënvlerësim nga institucionet dhe çdo qytetar”.
“Sot u konfirmuan dy rastet e para të të prekurve nga koronavirusi. Duke ju uruar shërim sa më të shpejtë, shpreh solidaritetin tim. Kërkohet përgjegjshmëri dhe bashkëpunim, profesionalizëm, përkushtim dhe transparencë. Mbështes edhe njëherë personelin mjekësor, të cilët do të duhen të përballen edhe me këtë rrezik serioz. Apeloj domosdoshmërinë e angazhimit të të gjithë strukturave shtetërore”, tha Meta.
Ai u bëri thirrje institucioneve të marrin masa për sigurimin e mjeteve mbrojtëse, për nisjen e trajnimeve të personalit, përcaktimin e karantinave dhe perimetrit të sigurisë, por edhe pajisjeve.
“Po e ndjek situatën hap pas hapi dhe së bashku me institucionet e tjera do të bëjmë çdo gjë për të qenë pranë çdo qytetari për moslejimin e përshkallëzimit. Apeloj për plan të detajuar, plan monitorimi të detajuar, për financim të plotë për nevojat për materialet mjekësore mbrojtëse jo vetëm për ekipet mjekësore, por edhe për forcat e sigurisë, që të përballojmë me sukses këtë pandemi”, tha Meta.
Po ashtu, Presidenti u shpreh se nevojitet “një plan e detajuar ekonomik për veprimet financiare mbështetëse”.
“Sot familja dhe e gjithë shoqëria shqiptare janë së bashku për të përballuar një emergjencë shumë serioze dhe vetëm, solidariteti mbarëkombëtar do të jetë forca përballë kësaj pandemie. Maturia dhe mësimet e nxjerra nga vendet e tjera më të zhvilluara janë instrumentet më të sigurta për të përballuar në mënyrën e duhur situatën. Çdo qytetar duhet të jetë i ndërgjegjshëm se nënvlerësimi më i vogël rrezikon jo vetëm jetën e tij, por edhe fëmijëve e prindërve”, tha Meta.
Ai kërkoi përgjegjshmëri dhe bashkëpunim maksimal, ndërsa shprehu bindjen se vetëm në këtë mënyrë do t’ia dalim që të mos e lëmë të përshkallëzohet këtë situatë të vështirë.
I pyetur nëse është koha për të mbledhur Këshillin e Sigurimit, Meta tha se “nuk është koha për të zhvilluar mbledhje mbi mbledhje”.
“Që në 31 janar kam kërkuar marrjen e masave ende pa u shfaqur rastet në Itali dhe më pas u kam kërkuar të parapërgatiten në vijimësi. Dje kam bërë një kërkesë më të fortë. Qeveria sot ka marrë një seri masash në këtë drejtim, ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me institucionet shtetërore dhe të qeverisë për të bërë çdo gjë, jo vetëm për të hetuar këto dy raste , por e rëndësishme është të kuptojmë që nënvlerësimi më i vogël i qytetarëve krijon një rrjet të kontaminuar që kthehet në bartës dhe shpërndarës të virusit”, tha Meta.
Ai vlerësoi se “veprimet po bëhen me përgjegjësi të plotë dhe ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë”.
Po ashtu, Meta informoi se “nga dita e sotme në Presidencë ka një taskforcë të kryesuar nga këshilltari për sigurinë kombëtare dhe të gjithë qytetarët do të kenë një adresë ku të drejtohen kur shohin probleme”.
“Besoj se me përgjegjshmëri maksimale ne do të arrijmë të kemi situatën nën kontroll. Sot kam folur me ambasadoret tona në Romë dhe Greqi. Janë disa gjëra që kërkojnë fonde dhe fondet duhen gjetur pa tjetër. Por, ka dy gjëra që nuk kërkojnë fonde: bashkëpunimi i secilit qytetar e kujdesi që çdo qytetar bën, dhe vullnetarizmi. Të gjithë intelektualët profesorë, studentët e Fakultetit të Mjekësisë mund të jenë me mjaft kontribut në këtë moment, ashtu sikurse vullnetarët e Kryqit të Kuq”, tha Meta./atsh