Loading...

Koronavirusi/ Fico: Dy të prekurit në gjendje të qëndrueshme, personat e afërt janë në vetëkarantinim

Drejtoresha e ISHP-së, Albana Fico deklaroi sot se “dy të prekurit me koronavirus janë stabël, ndërsa personat e afërt janë futur në vetëkarantinim”.

E ftuar në një studio televizive, Fico u shpreh se janë ndjekur të gjitha protokollet e parashikuara në planin e organizuar më herët për masat parandaluese të koronavirusit.

“Me daljen pozitive të testit, dy pacientët janë shoqëruar në shërbimin infektiv, ku gjenden nën trajtimin mjekësor në dhomat e izolimit. Janë stabël temperatura po u normalizohet, ndërsa vijojmë me protokollet e trajtimit të kësaj sëmundje. Komuniteti Mjekësor nuk ka një protokoll të përcaktuar, nuk ka mjekim specifik dhe vaksinë. Pacientët janë nën protokollin e trajtimit të atyre infeksioneve të sëmundjeve me natyrë virale”, tha ajo.

Fico inkurajoi qytetarët që të vetëdeklarohen në rastet kur kanë probleme, të hyjnë në vetëkarantinim. “Kjo është detyrë kombëtare, jo vetëm personale. Ne kemi marrë kontakt me këta persona për të kuptuar rrethin e parë të kontakteve të tyre dhe rrethin e dytë. Kemi identifikuar pacientin zero, kontaktin e tij më të ngushtë, rrethin e ngushtë prej 8 personash dhe sot në mëngjes kemi vijuar me një rreth më të gjerë. Është punë në vijimësi”, tha ajo.

Fico tha se këtyre personave u janë marrë monstrat dhe po përpunohen, brenda 24-orëshit të parë duhet të kemi rezultate, ndërkohë që janë vetëkarantinuar e survejuar në pritje të përgjigjes së ekzaminimeve.

“Janë njerëz që deri tani konsiderohen të shëndetshëm, nuk kanë shfaqur shenja të sëmundjes. E rëndësishme është që pacientët të kontaktojnë me 127 dhe të mos u drejtohen urgjencave. Ne duam në këtë fazë të shmangim përhapjen e virusit. Kemi bërë një plan herët në kohë që është ndihmesë shumë e madhe që në momentin e identifikimit të pacientit masat e ndërmarra përforcohen”, tha ajo.

Fico tha se “kemi marrë ato masa që duhen marrë sa i takon situatës ku gjendet Shqipëria”. “Bota ka histori të ndryshme, ka pasur murtajën, gripëra të tmerrshme dhe nuk kemi pasur poste kufitare e trena, por ndërkohë ka pasur një përhapje të caktuar. Jemi konform planeve të hartuara herët dhe të përditësuara”, tha Fico.

E pyetur nëse do të ketë një frenim të virusit me ngrohjen e kohës, ajo tha se “në botën e viruseve ka dy kategori virusesh: viruse që një nga karakteristikat që kanë është membranë me përqindje shumë të lartë të yndyrnave që ka tentativën të dobësohen, por është shumë pak. Për COVID -19 ne pak dimë. Jemi para një virusi të ri, ndaj të sillemi me kujdes dhe të marrim masat personale që të kemi mundësi t’ia dalim. Fondet e alokuara në këtë moment në fushën tonë e bëjnë ndryshimin”, tha Fico.

Duke folur për masat, ajo ritheksoi se “vlen shkolla e vjetër e higjienës. T’i kthehemi larjes së duarve më shumë se 20 sek me ujë e sapun, të vijojmë të ushqehemi mirë brenda mundësive dhe të shmangim grumbullimet e panevojshme”./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com