“Shqipëria i ka të gjitha kapacitetet për ta përballuar këtë sfidë”, deklaroi sot gjatë një interviste televizive zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli.
“Unë e them me bindje që ne i kemi kapacitetet për të përballuar këtë situatë. E them me bindje, sepse është një gjë që ne e kemi menduar. Fatmirësisht ardhja në Shqipëri dy muaj pasi epidemia vazhdonte në Kinë, na dha kohë që të përgatiteshim, që ta njihnim më mirë se si zhvillohej virusi dhe na dha kohë të përfitonim dhe nga masat që kanë marrë vendet e tjera rreth nesh. Pra ne i kemi bërë përllogaritjet në bazë të parimeve të epidemiologjisë dhe mendojmë që Shqipëria i ka të gjitha kapacitete për ta përballuar këtë sfidë”, – tha Rakacolli.
Mbi dy rastet e konfirmuar me COVID-19 Rakacolli tha se, “kontakteve të afërta të dy të infektuarve me COVID-19 janë marrë mostrat që mbrëmë. Përgjigjen e analizave të tyre nuk mund ta di, mund të jetë çështje minute, apo çështje ore. E rëndësishme është që ato akoma nuk kanë mbaruar dhe akoma nuk e kemi informacionin, sapo ta kemi në dorë, informacioni do bëhet menjëherë publik”.
Gjithashtu Rakacolli theksoi se personeli ynë shëndetësor dhe sistemi ynë shëndetësor është i aftë ta përballojë edhe këtë.
“Shërbimi ynë shëndetësor ka kaluar disa prova të tilla epidemish: poliomelitin, fruthin vitin e kaluar dhe gripin para dy vitesh, që ishte një grip shumë i fortë që pati dhe vdekje në mosha të reja dhe numri i vdekjeve në Shqipëri ishte pak më ulët se numri i vdekjeve në Europë. Prandaj e themi me bindje që personeli ynë shëndetësor dhe sistemi ynë shëndetësor është i aftë ta përballojë edhe këtë”, – tha Rakacolli.
Mbi mjekimet e rasteve me COVID-19, Rakacolli shpjegoi se, “përderisa nuk dihet akoma një medikament që të veprojë specifikisht për këtë virus, kurimi bëhet me ato preparate që ulin temperaturën, që ulin inflamacionin, pra mjekim specifik nuk ka”.
“Disa vende kanë tentuar dhe provuar disa medikamente antiviral të cilët ne ato fatmirësisht i kemi. Nëse shërbimi infektiv në protokollin e bërë gjykon që do përdoren këto medikamente ne i kemi disponibël”, – vijoi ajo.
Gjithashtu Rakacolli apeloi se nuk duhet pasur frikë, thjesht duhet të informohemi nga burime zyrtare dhe mos biem pre e infodemisë.
“Në botë deri tani kanë vdekur 500 mijë veta nga gripi vetëm në këtë periudhë, por fakti është që të tremb gjithmonë më shumë gjëja e panjohur. Pra është frika nga e panjohura dhe kjo është normale, por frika duhet të shoqërohet jo me panik, po me marrje informacioni. Marrja e informacionit në burime zyrtare dhe në vende të sigurta ta largon dhe frikën. Fatkeqësisht bien shumë shpesh pre e asaj që i themi infodemi”./atsh