Kryeministri Edi Rama i bëri thirrje sot çdo qytetari që të bëjë detyrën e vet, ndërsa theksoi se masa drastike janë marrë në terren për personat e kthyera nga vendet e prekura.
“Mënyra se si ne reagojmë dhe masat që ne do të marrim ndryshojnë edhe formën që merr epidemia dhe aftësinë për ta vënë në kontroll pasi nëse shpërthen kolapson sistemin. Kolapsoi në Itali, ka ardhur puna që Italia trajnon mjekë të profileve të tjera për të bërë reanimatorin, të mos ketë pajisje, sepse masat u morën në një ritëm që rezulton të mos jetë i duhuri”, tha Rama.
Ai kërkoi që të mos bëhen karshillëqe, pasi koronavirusi është kërcënim jo vetëm personal, por edhe për të afërmit e miqtë. “Në Itali u bënë shumë karshillëqe nga të rinj e të reja duke thënë se nuk ‘pyesim për koronën’, ‘këto nuk ndihmojnë’”, tha Rama.
Kryeministri paralajmëroi se tani që flasim do të fillojnë të dalin forcat e Policisë dhe ato ushtarake për të kontrolluar ata që duhet të jenë në shtëpi, sepse ata duhen mbrojtur, dhe familjet e tyre, se nesër mund të jetë vonë./atsh