Loading...

Brataj përshëndet ekipin mjekësor shqiptar në ndihmë të Italisë: Krenarë për ju që shkoni të shpëtoni jetë

Drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj, duke vlerësuar vendimin e qeverisë për të dërguar në Itali 30 mjekë e infermierë, që do të shërbejnë në luftën kundër COVID-19, theksoi se ata na sjellin emocione, ndjesinë dhe krenarinë e të qenit mjek, bluza të bardha, humanistë, por akoma më shumë, të qenit shqiptar.

“Ju jeni ajo traditë e bukur, që gjithmonë vetëm e kemi thënë me fjalë, ndërsa sot është konkrete, e prekshme reale; tradita e bukur e shqiptarit, ajo e ndihmës së personave në nevojë. Ju betohem se ishte e njëjta skenë, ndjesi, emocion si atë ditë te Këneta në Durrës, kur pashë ekipet e shpëtimit të Italisë në periudhën e tërmetit. Është e njëjta skenë para avionit, kur ekipet mjekësore italiane dhe Protezione Civile Italiana merrnin bashkëkombësit tanë për t’i kuruar në Itali. Sot niseni ju për të kuruar qytetarët italianë”, – theksoi Brataj.

Kreu i Urgjencës Kombëtare u shpreh se “kam punuar 22 vjet mjek për ata njerëz të mrekullueshëm dhe sot e ndjej veten në çdo njërin prej jush. Atje ka me qindra mjekë dhe infermierë shqiptarë që punojnë dhe jetojnë. Në këtë moment po japin maksimumin e tyre, por JU sot na sillni emocione, na sillni ndjesinë dhe krenarinë e të qenit mjek, bluza të bardha, humanist, por akoma më shumë të qenit shqiptar. Ju po shkoni në luftë me vetëdije, kundër një armiku sa të njohur, aq të panjohur, por me vendosmërinë e patundur, objektivin për të cilin keni studiuar. Pra, ju shkoni të shpëtoni jetë. Këtë mision fisnik ju e keni të skalitur në zemrat tuaja dhe tonat”.

“Me këtë solidaritet dhe vendosmëri që shohim në sytë tuaj, nuk ka virus të na ndalë. Jeta është shumë më e bukur dhe gjithmonë fiton”, – tha Brataj, i cili po qëndron edhe vetë në vetizolim për shkak se është i infektuar me koronavirus. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com