Personat që kanë sëmundje kronike janë më të rrezikuar nëse preken nga koronavirusi, COVID-19.
Për këtë delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë, bën thirrje që këta persona të mbrojnë veten duke praktikuar higjienën e duarve, etiketën në kollitje dhe distancimin shoqëror.
Gjithashtu, këta persona, nëse ndihen keq duhet t’i telefonojnë shërbimeve të kujdesit shëndetësor për këshilla duke dhënë hollësi të simptomave dhe gjendjes së tyre
“Çfarë duhet të bëj nëse kam një sëmundje kronike, për shembull diabet apo hipertension? Mbroni veten duke praktikuar higjienën e duarve, etiketën në kollitje dhe distancimin shoqëror. Nëse ndiheni keq, telefonojini shërbimeve të kujdesit shëndetësor për këshilla duke dhënë hollësi të simptomave dhe gjendjes suaj”, këshillon zyra e Bashkimit Europian.
Presidentja e Komisionit Europian, Von der Leyen në një deklaratë të saj për koronavirusin është shprehur se, “Komisioni Europian është duke koordinuar një përgjigje të përbashkët europiane ndaj shpërthimit të COVID-19. Ne jemi duke ndërmarrë një veprim të vendosur për të forcuar sektorët tanë të shëndetit publik dhe për të zbutur ndikimin socio-ekonomik në Bashkimin Europian. Ne po mobilizojmë të gjitha mjetet në dispozicionin tonë për t’i ndihmuar shtetet tona anëtare të koordinojnë përgjigjet e tyre kombëtare dhe po ofrojnë informacion objektiv për përhapjen e virusit dhe përpjekjet efektive për ta kontrolluar atë”./atsh