Loading...

Basha apel qytetarëve: Respektoni pikë për pikë udhëzimet e detajuara për distancimin social

Kryetari i PD-së Lulzim Baaha tha sot se duhet menjëherë të shpallet gjendja e emergjencës së fatkeqësisë natyrore në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe të urdhërohet mbyllja e çdo biznesi me prani të madhe dhe të dendur punonjësish.

Në një deklaratë, kryetari i PD-së Basha u drejtohet qytetarëve të respektojnë masat e vendosura nga qeveria dhe të qëndrojnë në shtëpi.

“Ju lus edhe njëherë, respektoni plotësisht të gjitha rregullat, të qëndroni në shtëpi, të merrni të gjitha masat higjeniko-sanitare. Sikundër e lus qeverinë që, menjëherë, hapat e shpallur t’i detajojë dhe t’i bëjë efektive për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë”, tha ai.

Basha tha se “kjo javë nisi me një rritje të numrit të infektuarve nga koronavirusi dhe për fat të keq edhe rritjen e numrit të viktimave”.

“Dua t’u ofroj ngushëllimet e mia familjeve të viktimave dhe dua të uroj nga zemra të gjithë ata që ndodhen në kushtet e infektimit dhe të shtrimit spitalor, shërim sa më të shpejtë. Dua ta nis me një falenderim me gjithësecilin prej jush qytetarë të dashur që respektuat ditën e djeshme rregullat e vetëizolimit, distancimit social dhe karantinës së detyruar nga kjo situatë. Dua po kështu të bëj një thirrje nga zemra të respektoni pikë për pikë udhëzimet e detajuara sot nga Policia e Shtetit për të vazhduar, në mënyrë të disiplinuar distancimin social, si një nga mjetet më të fuqishme për ndalimin dhe ngadalësimin e përhapjes së virozës dhe të efekteve të saj shkatërruese mbi shëndetin e të dashurve, të afërmve, në veçanti, të prindërve tanë dhe të atyre që nuk gëzojnë shëndet të plotë”, u shpreh ai.

“Nga ana tjetër, dua t’i bëj sot thirrje qeverisë të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë . Dua, po kështu, t’i bëj thirrje qeverisë të urdhërojë menjëherë mbylljen e të gjithë bizneseve me dendësi të madhe punonjësish në ambiente të mbyllura, siç janë fasoneritë, call-centers apo të tjera fabrika prodhimi ku afërsia fizike e punonjësve përbën një rrezik të pashmangshëm për transmetimin e virusit dhe për kthimin e tyre në bartës dhe infektues”, tha ai.

Në vijim Basha i bëri thirrje qeverisë të përgatisë një paketë tjetër social-ekonomike.

“Ndaj dua të përsëris përulësisht thirrjen time ndaj qeverisë: Të mos vonojë detajimin e paketës së ndihmës që ka shpallur dhe të bëjë gati një paketë tjetër, sepse kjo është qartësisht e pamjaftueshme. Të gjithë ata që do të detyrohen të qëndrojnë në shtëpi për shkak të mbylljes së biznesit apo për shkak të mbylljes së bizneseve, ku janë punëmarrës, duhet të marrin pagën e mjaftueshme për të vazhduar minimumin jetik në shtëpitë e tyre. Dhe kjo është një përgjegjësi shtetërore. Ndaj thirrja ime është që menjëherë të ndërpritet çdo shpenzim tjetër, të ndërpritet çdo transferim tjetër nga thesari dhe të gjitha paratë e taksapaguesve shqiptarë të shkojnë për shëndetin e shqiptarëve, të shkojnë për nevojat akute ekonomike me të cilat përballet një numër i madhe njerëzish i cili mund dhe do të vijë në rritje”, tha ai./atsh