Zv/kryeministri, Erion Braçe ka apeluar për qetësi dhe zbatim të çdo protokolli për mos përhapjen e koronavirusit në Shqipëri.
Pas lajmit të konfirmimit të dy rasteve të para me koronavirus, Braçe është shprehur se, “tani duhet qetësi, vetëkontroll, disiplinë për të zbatuar çdo protokoll dhe çdo rregull të shpallur, vendosmëri për të mos lejuar përhapjen kudo!”.
“Çdokush që ka hyrë nga Italia në Shqipëri dy javët e fundit dhe ka shenja të gripit, të telefonojë numrin 127; Çdokush që ka hyrë nga Italia në Shqipëri gjatë dy javëve të fundit duhet të vetë karantinohet për 14 ditë; Pjesa tjetër është higjiena, higjiena, higjiena!”, ka thënë Braçe.
“Lani duart shpesh dhe për 40 sekonda me ujë e sapun, dizinfektoini me solucione me bazë alkoolin; Të gjitha vendet me grumbullime të mëdha, posaçërisht shkollat duhet të 100 fishojnë kujdesin ndaj higjienës; Mos prekni gojën, hundën e sytë me duar të palara, virusi hyn në trup prej tyre! Mbroni fëmijët dhe të moshuarit! Është detyrë!”, ka përfunduar Braçe. /atsh