Loading...

Veliaj: Teatri i ri në pronën e vet 3 herë më i madh, skenë ultramoderne me rotativë

Teatri do të jetë në pronën e vet, do të jetë 3-herë më i madh dhe do të ketë të gjithë teknologjinë moderne që kërkuan artistë, përfshi edhe skenën ultramoderne me rotativë.

Ky është premtimi i Erion Veiaj i cili siguroi qytetarët dhe artistët se falë këtij vendimi teatri i ri do të bëhet edhe më shpejt. I ftuar në një nga mediet e vendit, kryetari i bashkisë sqaroi se kompania nuk kishte mundësi që të plotësonte në kohë kërkesat teknike, ndaj edhe godina e re e teatrit do të bëhet nga vetë bashkia dhe qeveria.

“Unë nuk kam betejë me asnjë. Unë respektoj ligjet e këtij vendi dhe ligjet e këtij vendi kaluan një ligj për një negociatë të teatrit e cila ishte mandatuar Bashkia e Tiranës ta kryente në këto dy muaj, kështu që në këto dy muaj nuk kisha betejë, por kisha një negociatë, një negociatë ku patëm një ofertë nga një ofertues privat për të ndërtuar teatrin, një negociatë që pati një kundër-ofertë nga pjesa që negocionte që janë përfaqësues të Bashkisë së Tiranës, qeverisë dhe komunitetit të artistëve me dy anëtarë të cilët kërkuan diçka më shumë se ajo që u ofertua, pra u kërkua që të bëhej një investim më i madh në një skenë, një skenë e ngjashme me disa nga skenat më moderne sot në botë ku përveç oxhakut sipër që sjell skenografi apo ashensorit poshtë apo edhe dy krahëve të skenës, u kërkua që të kishte edhe një skenë rotative, si ajo që shohim shpesh në Broduej apo shumë prej performancave moderne të teatrit. Kjo kërkesë e tejkalonte ofertën që ishte bërë nga kompania, pra kalonte biznes-planin e tyre. Jo vetëm kaq, por duke qenë se ishte lidhur edhe me negociatën tjetër që do do të duhej të bënte bashkinë për pronën e vet, na çonte në një kohë kalendarike disa vjeçare, ndaj morëm një vendim në fund të një negociate, provë për të gjithë ata që mendonin që çdo gjë ishte e parapërgatitur. Në momentin që ne zgjodhëm që të bashkonim votat me artistët dhe të thonim: Ky është një shans që na jepet një herë në 100 vjet, pra le të bëjmë maksimumin me teknologjinë dhe gjithashtu maksimumin në një kohë të shpejtë zgjodhëm të shtrëngojmë duart, të ndahemi në paqe dhe të themi faleminderit por jo, faleminderit! Ne do të bëjmë vetë, me investimin publik të qeverisë dhe Bashkisë teatrin, duke marrë një kredi të posaçme. Pastaj do marrim kohën tonë për pjesën pas Bashkisë, si një negociatë tipike që bashkia bën rëndom nëpër qytet sa herë që ka një pronë që preket nga zhvillimi për të marrë maksimumin, ashtu siç bën maksimumin çdo privat që ka një pronë që preket nga zhvillimi”, -u shpreh Veliaj.

Veliaj theksoi se edhe ata aktorë që dalin kundër nismës së bashkisë për t’i dhënë qytetit dhe artdashësve një teatër modern, përbëjnë më pak se 1% të aktorëve të skenës të cilët janë tashmë të atashuar në organet partiake me të drejtën e tyre, për të qenë në Këshillin drejtues të PD.

“E para, të sqarojmë disa gjëra: Një pjesë e aktorëve që janë më pak se 1% e aktorëve të skenës të cilët janë tashmë të atashuar në organet partiake me të drejtën e tyre, për të qenë në Këshillin drejtues të PD, me një pjesë të militantëve të ish-Ujësjellësit të Bashkisë Kamzë nuk përfaqësojnë të gjithë qytetarët, ndaj unë do të tregoja pak kujdes kur ne themi të gjithë qytetarët. Jo! Kjo pjesë e politizuar që është në fakt i njëjti grup shëtitës që ka qenë edhe kundër këndit të lojrave, kundër bulevardit të ri, Pazarit, edhe kundër sheshit “Skënderbej”, edhe kundër shumë prej investimeve që janë bërë në qytetin e Tiranës, janë një grup shëtitës të cilët unë i marr të mirëqënë për çdo punë publike. Arsyeja pse nuk kemi bërë gabim është një provë konkrete që është stadiumi i Tiranës. Stadiumi Kombëtar, stadium Air Albania ishte produkt i kësaj negociate ku investitori kishte fuqi të paguante edhe me kërkesat shtesë që bëri Federata dhe bashkia bëri pjesën e parkingut dhe qeveria bëri pjesën e sheshit përpara. Të provosh nuk është një gabim, sigurisht nëse do kishim marrë të gjitha kërkesat tona me fondet private do ishte shumë më mirë se sa të marrim kredi, ku sigurisht bashkia e Tiranës ka një limit kredie. Bashkia e Tiranës merr sot kredi nga BERZH-i për ujësjellës-kanalizimiet, merr nga KFV-ja për reformën e mobilierit dhe të transportit, merr nga institucione të ndryshme si CEB-i për banesat sociale. Kështu që çdo kredi që marrim, na ngushton hapësirat, megjithatë ajo që unë besoj është që morëm një vendim të drejtë. Për të gjithë ata që kishin dyshime që këtu çdo gjë është e parapërgatitur dhe kush e ndoqi negociatën 2-mujore pa sesi ne kërkuam maksimumin, nëse ky maksimum nuk arrihet me një investitor privat siç në fakt ishte e suksesshme në rastin e stadiumit, atëherë ne do ta bëjmë vetë”, -tha ndër të tjera Veliaj./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com