Loading...

”The Guardian”: Njeriu që projektoi qytetin nëntokësor stalinist të Shqipërisë

Për rreth dy dekada, Feti Gjici punoi në një projekt aq sekret, sa çdo mbrëmje para se të largohej nga zyra ishte i detyruar të mbyllte dokumentet në një kasafortë. Ai kurrë nuk foli për këtë projekt me miqtë ose familjen e tij, shkruan Shaun Walker në një reportazh për gazetën e njohur britanike ”The Guardian”.

”Gjici ishte shefi ekzekutiv për ndërtimet në qytetin e Kukësit, që ndodhet në veri të Shqipërisë, i cili punoi gjatë viteve të regjimit komunist, i udhëhequr nga diktatori stalinist Enver Hoxha. Udhëheqësi paranojak u tmerrua nga lufta që po afrohej dhe ndërtoi qindra mijëra bunkerë betoni për të mbrojtur popullsinë e tij kundër një kërcënimi për pushtim.

Në Kukës, jo larg kufirit me Jugosllavinë socialiste, gjërat ishin një hap më përpara. Detyra e Gjicit, që nisi në fillim të viteve 1970 dhe mbaroi vetëm me rrëzimin e regjimit në 1991, ishte të ndërtonte një kopje nëntokësore të qytetit të Kukësit, por këtë herë 30 metra nën të.

Planet e para, në fillim të viteve ’70, ishin për një sërë strehimesh kundër bombardimeve. Ndërsa gjatë viteve ’80, me urdhër të shefave të ushtrisë, Gjici shtoi gjithnjë e më shumë tunele dhe dhoma në projektin nëntokësor duke përfshirë hapësirën për një shtypshkronjë, një spital dhe një furrë buke. Më pas, u instaluan rrjetet e energjisë elektrike dhe ujit. Aty duhej të kishte një qendër komande të ushtrisë, një pikë policie dhe një sallë gjyqi. Ideja ishte që të jetonin 10 000 persona për një periudhë deri në gjashtë muaj.

“Sigurisht, në kohë lufte, gjërat mund të kalonin në kapacitet më të vogël, por ideja ishte të përsërisnim gjithë qytetin nën tokë”, kujtoi Gjici, tashmë 72 vjeç.

Në fillim të viteve ’70, autoritetet komuniste përmbytën të gjithë qytetin e vjetër të Kukësit me një liqen artificial për ndërtimin e një hidrocentrali. Planifikuesit duhej të krijonin një qytet të ri përkrah tij dhe të rivendosnin të gjithë popullsinë atje. Gjici po ndihmonte në planifikim e Kukësit të dytë mbi tokë, kur shefat e ushtrisë dhe policisë sekrete e thirrën.

“Meqë po bëja një punë të mirë, ata më besuan planet për qytetin nëntokësor”, thotë ai.

I pyetur se çfarë do të thoshte nëse kolegët do e pyesnin për çfarë po punonte, ai qesh.

“Nuk ishte në kulturën e njerëzve të pyesnin se çfarë po bëje”, thotë ai.

Bashkëshortja e tij e dinte se Gjici po punonte prej kohësh për një projekt nëntokësor, por kurrë nuk i kërkoi detaje. Ajo e dinte mirë se nuk duhej të bënte pyetje.

Për shkak se strehimi ishte tepër i fshehtë, Gjici kishte një ekip prej vetëm 30 punëtorësh për ta ndërtuar, pasi secili nga ata duhej të kontrollohej plotësisht nga shërbimet e sigurisë për besueshmërinë politike.

“Sa më pak njerëz ta dinin, aq më mirë do të ishte”, thotë ai.

Ky ekip i vogël u nda më tej në çifte, që u dërguan për të punuar në pjesë të ndryshme të strehimoreve duke mos e kuptuar asnjëherë se ekzistonte një rrjet i madh i ndërlidhur.

Gjatë viteve ’80, autoritetet zhvilluan stërvitje të rregullta, dhe kur binte alarmi, e gjithë popullsia e Kukësit mund të zbriste nëntokë për shtatë minuta, përmes 30 hyrjeve.

Por, kur ndodheshe nëntokë ishte e ndaluar të lëvizje dhe bashkimi i rrjetit me tunele që shtiheshin me kilometra, ishte informacion sekret.

Ndërtimi i rrjetit nëntokësor përfundoi në vitin 1989, u instalua energjia elektrike dhe uji. Por, përpara se secila prej zonave të pajisej ashtu siç duhej, regjimi u rrëzua.

Sot, hyrja në këto tunele nuk është për personat me zemër të dobët.

Gjici tregon rrugën poshtë një shkalle që të çon thellë e më thellë në tokë. Hyrja në pjesën më të madhe të rrjetit të tuneleve dhe dhomave është bllokuar nga grumbuj të mëdhenj rëre dhe balte.

Por, pas 30 viteve neglizhencë, kryebashkiaku i ri i Kukësit, Safet Gjici, kushëriri i Fetiut, kërkon të përfundojë ato që nisën komunistët si dhe të përfundojë punën në Kukësin e nëndheshëm, përpara se të hapet për publikun.

Në vitet ’90 ai ishte kurioz pasi dëgjoi tregimet e kushëririt të tij dhe zbriti në rrjetin e braktisur me disa miq.

“Dua të tregohem i sinqertë, nuk mund të besoj sa thellë ishte”, thotë ai në një intervistë.

“Ne hymë në një farë mënyre, por unë u tmerrova dhe u ktheva pas. Kishte thashetheme për njerëz që kishin hyrë atje dhe nuk ishin kthyer më”, shton Gjici.

Më vonë ai e vizitoi përsëri, këtë herë me kushëririn e tij dhe me ndriçimin e duhur dhe nuk i besohej sa i madh ishte. Nisi të formësohej një vizion gjigant. Pas disa muajsh, ai u zgjodh kryetar bashkie dhe vendosi se ishte koha për të vepruar.

“Duam ta shndërrojmë atë në një qytet nëntokësor për vendasit dhe turistët”, shton ai.

Safet Gjici pranoi se idetë e tij ishin ende të paqarta, por parashikonte restorante, atraksione dhe dyqane. Njerëzit do të mund të udhëtonin nëpër tunele për të dalë në liqenin artificial dhe më pas të vozisnin për kënaqësinë e tyre.

Ai shpreson se në mars do të arrijë një marrëveshje për 2,6 milionë euro nga fondi i BE-së për të filluar rinovimet. Por, pa aq shumë para’, planet e tij ambicioze mund të jenë po aq të diskutueshme sa ato në kohën e Shqipërisë komuniste.

Ka edhe nga ata që vënë në dyshim transformimin e trashëgimisë komuniste të vendit në parqe atraksioni. Kompleksi i gjerë i bunkerëve, i ndërtuar në periferi të kryeqytetit të Tiranës, tashmë është shndërruar në një muze. Ekzistojnë plane për të hapur shtëpinë e Enver Hoxhës për publikun, shtëpi e lënë ashtu si ishte kur vdiq diktatori në vitin 1985.

“Në pjesën tjetër të Europës komuniste, represioni përfundoi në vitet ’60, por këtu ata shkuan deri në fund. Njerëzit ishin të uritur dhe ata ende po ndërtonin bunkerë. Pse na duhen muzetë e bunkerëve tani, kur nuk ka muze për viktimat e komunizmit?”, thotë Enriketa Papa, një historiane në Universitetin e Tiranës.

Safet Gjici është i bindur se asnjë muze nëntokësor nuk mund ta tregojë plotësisht anën e errët të viteve komuniste.

“Ishte një kohë e tmerrshme. Gjysma e popullit ishin informatorë dhe kishte kufizime për gjithçka. Nuk duam t’i shohim ato kohë përsëri, as për veten tonë dhe as për të tjerë”, thotë ai.

Kushëriri i tij ishte shumë më ekuivok duke reflektuar një nostalgji për regjimin e Enver Hoxhës në mesin e një pjese të popullatës së Shqipërisë, veçanërisht atyre që zunë pozita të privilegjuara.

“Unë kam qenë nga një familje fermerësh në fshat dhe kam pasur mundësi të studioj inxhinieri në kryeqytet së bashku me dhëndrin e Hoxhës. Në atë kohë, nuk kishte diskriminim”, shton ai duke shmangur bisedat rreth ekzekutimeve, kampeve të punës dhe të burgosurve politikë.

Për sa i përket qytetit nëntokësor, ai hedh poshtë idenë se ndërtimi i tij pasqyronte një mentalitet paranojak dhe pretendon se ishte minimumi absolut që çdo qeveri e arsyeshme do të siguronte për qytetarët e saj. Ai shtoi se kjo gjë duhej bërë për t’u mësuar brezave të rinj se rreziku i luftës është gjithmonë aty”, përfundon reportazhi i ”The Guardian”./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com