Loading...

Shqipëri-Kosovë/ Rama: Po pres të punojmë me qeverinë e re, kufiri mes dy vendeve të bëhet tërësisht fluid

Kryeministri Edi Rama deklaroi në Uashington se “Kosova ka tashmë qeverinë e re dhe mezi pres të punoj së bashku me ta dhe është një temë që ka qenë ëndrra ime dhe çdo shqiptari të Kosovës kufiri, të bëhet tërësisht fluid”.

Në Këshillin e Atlantikut në një bashkëbisedim të hapur mbi vizitën në Uashington, Kryeministri Rama tha se “pse nuk ka qenë e mundur kjo sepse menjëherë sapo ta përmendja jo në Beograd, por këtu në Uashington dhe në Bruksel, njerëzit do më thonin mos je çmendur kjo është Shqipëria e Madhe”.

“Po kështu edhe në Beograd do ta thonin një gjë të tillë. Tashmë kemi një marrëveshje, në të cilën kufijtë mund të jenë tërësisht të hapur, ka njerëz që thonë mos duhet t’u kërkojmë leje serbëve për kufirin tonë. Çfarë është kjo? Kjo është të tallesh me njerëzit, kjo është ti marrësh njerëzit për budallenj, natyrisht duhet një marrëveshje e përbashkët dhe më pas mund ta bësh këtë gjë me gjithkënd”, – nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë sqaroi se “pasi binda serbët dhe Presidentin e Serbisë që të mos ta linin jashtë lëvizjen e njerëzve, sepse ata donin vetëm të përfshinin kapitalin, mallrat , lëvizjen e transaksioneve, por ndërkohë që nuk donin lëvizjen e njerëzve sepse kishin frikë nëse do të hapeshin kufijtë shqiptarët do të lëviznin dhe do të bëhej kjo Shqipëria e madhe” .
“Por kjo nuk është e vërtetë, do të kemi dy shtete, siç do të jenë 6 shtete në Ballkanin Perëndimor, por do të kemi komunikim normal ashtu si në Bashkimin Europian. Kjo do të bënte që shqiptarët të lëvizin mes njëri- tjetrit të lirë. Kjo është diçka që mund ta zgjidhim, se kur je ne qeveri është shumë ndryshe. Tashmë mund të punojmë së bashku dhe sa më shpejt të qartësojmë këtë shtrembërim lidhur me Shengenin Rajonal dhe të bëjmë përpara me kufijtë tanë”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se “ka edhe diçka tjetër, nuk është një BE e vogël, që të gjashtët të kenë një konsensus, të gjithë duhet të bëjnë të njëjtën gjë, jo, nuk ka veto, nuk ka paragjykim, nuk ka kushtëzim, gjithsecili mund të bëjë pjesë apo të zbatojë pjesë të saj siç do. Pra ideja është që nuk është e thënë që Kosova të bëjë me ne apo me Serbinë të njëjtën gjë. Mali i Zi është pjesë e iniciativës na pëlqen pjesa më e madhe e saj, ka gjëra që nuk na intereson, por vetëm për faktin që është shumë elastike, nuk ka nevojë të bësh çdo gjë me të njëjtin ritëm” .

“Së dyti është mjaft interesante që ambasadori Grenell nxiti marrjen e vendimit për të rivendosur fluturimet mes Prishtinës dhe Beogradit, të gjithë në Prishtinë e përgëzuan edhe unë e përgëzova, por po ta kisha thënë unë, vetëm ta kisha thënë jo ta kisha bërë ndoshta nuk do të isha këtu sot, do të më kishin prerë kokën”, – tha Rama.

“Kjo nuk ka të bëjë aspak me mendimin apo qëndrimin tim për këtë, pasi qysh prej ditës së parë e gjithë kohës kam thënë që Serbia duhet ta njohë sa më shpejt të jetë e mundur Kosovën. Për Serbinë është një makth, nga i cili Serbia duhet të çlirohet, Kosova është një realitet që nuk mund të ndryshojë. Në të njëjtën kohë na duhet të punojmë së bashku, na duhet të gjejmë se çfarë dhe ku mund të punojmë së bashku. Për këtë mund të mos biem dakord, por kjo nuk është arsye që të ngrimë gjithçka dhe t’i kthejmë shpinën njëri -tjetrit sepse nuk ndihmon askënd”, – tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “aktualisht kemi një konflikt të madh në Ukrainë dhe Presidenti i Ukrainës dhe i Rusisë ulen dhe flasin se si të hedhin hapa përpara, ata janë në luftë aty në këto zona, si mund të shmangësh të flasësh”./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com