Luftë ndaj informalitetit biznesit që operon në sektorin veterinar, investime shtetërore në zhvillimin e një procesi monitorimi të sektorit, për garantimin e sigurisë ushqimore në thertore, janë disa risitë që do të sjellin ndryshimet në ligjin për shërbimet veterinare, në Shqipëri.
Sipas relacionit që shoqëron këtë projektligj, “reduktimi i transmetimit të sëmundjeve si rezultat i rritjes së kontrollit të lëvizjes së kafshëve, rritjes së biosigurisë në fermë dhe tregtimit të kafshëve në tregje të miratuara dhe kontrolluara reduktojnë shpenzimet për mjekimin e kafshëve, si dhe dëmin ekonomik për subjektet të shkaktuar nga ngordhja e tyre”.
Projekligji parashikon edhe disa lloje ndikimesh jo të drejtpërdrejta ekonomike, që janë pa vlerë monetare të drejtpërdrejtë në buxhet dhe konsistojnë në formalizimin e subjekteve që zhvillojnë aktivitetin e mbarështimit dhe tregtimit të kafshëve të gjalla dhe produkteve shtazore si dhe rritjen e përgjegjësisë së subjekteve që aktualisht zhvillojnë aktivitetin në këtë fushë si rezultat i forcimit të kontrollit të shëndetit dhe mirëqenies së kafshëve, duke rritur në këtë mënyrë sigurinë e ushqimeve me origjinë shtazore të cilat kanë një risk të lartë në shëndetin e njeriut, e si pasojë shpenzimet për kujdesin shëndetësor, reduktohen.
“Ky ligj zbatohet për operatorët e biznesit që ushtrojnë veprimtaritë e parashikuara në këtë ligj dhe miratimi i këtij ligji do të çojë në uljen deri në reduktim të informalitetit në këtë fushë. Numri i subjekteve që zhvillojnë veprimtarinë në fushën e shëndetit dhe mirëqenies së kafshëve do të rritet dhe licencimi i këtyre veprimtarive që kërkon pajisjen me lejen e mjedisit për secilin subjekt që ushtron aktivitetin, para licencimit”- citon projektligji./atsh