Deputetja e Partisë Socialiste, Lindita Nikolla, deklaroi sot se Partia Socialiste është forca e pakonkurrueshme në vend për mbështetjen që u jep vajzave dhe grave. Nisma “Edhe një” e rriti me 10% numrin e anëtareve të partisë me vajza e gra që vijnë nga profile të ndryshme, nga arsimi, shëndetësia, ekonomia, apo gra në punë dhe të papuna”.
Në fjalën e saj në Kongresin e Partisë Socialistë, që nisi sot në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, Nikolla tha se “33% e anëtareve të reja janë vajza nën moshën 30 vjeç, ose 55 % e tyre janë nën 40 vjeç”.
“Në fund të tetorit të vitit të kaluar shpallëm nismën “Edhe një”. Ishim 559 këshilltare të bashkive në të gjithë vendin, të cilat u angazhuan që do të shtonin edhe një, do të ftonin edhe një vajzë apo grua tjetër anëtare të Partisë Socialiste. Në katër muaj, ne sot jemi mbi 3 mijë vajza e gra të nismës “Edhe një” sepse 2507 vajza e gra të tjera u bënë anëtarë të PS duke iu bashkuar nismës tjetër të PS që organizatat socialiste të bashkëdrejtohen nga një burrë dhe një grua”, – nënvizoi Nikolla.
Deputetja Nikolla u shpreh se “sot 50 % e përfaqësuesve në këshillat bashkiakë të vendit janë gra, standard që e vendosi i pari Edi Rama në bashkinë e Tiranës, 50% e kabinetit janë gra, 47% e zëvendësministrave janë gra, po ashtu 40% e institucioneve qendrore dhe 45% e drejtorive të përgjithshme drejtohen nga gra. Edi Rama është lideri që në bashki, qeveri dhe parti ka vendosur standarde të larta përfaqësimi për gratë edhe këtë ju tashmë e dini”. /atsh