Mbretëresha e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha është ndarë sot nga jeta në moshën 87- vjeçare, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë.
“Bilbili i Kosovës”, “Mbretëresha e muzikës shqiptare”, “Këngëtarja e Shekullit”, “Artiste e Merituar” , “Nderi i Kombit”, janë vetëm disa prej epiteteve dhe dekoratave që këngëtarja më e madhe kosovare e të gjitha kohërave, Nexhmije Pagarusha, i ka merituar gjatë dekadave të karrierës së saj artistike.
Nexhmije Pagarusha, legjenda e gjallë e këngës shqiptare, u lind më 7 maj të vitit 1933 në Pagarushë, ku ndoqi shkollën fillore, ndërsa shkollimin e vijoi për 3 vjet në Beograd, në shkollën e muzikës për solo kanto.
Veprimtaria e saj muzikore 40-vjeçare është aq e gjerë, sa që është vështirë të thuhet se cilit zhanër i takon. Është e njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera, por pati karrierë të suksesshme edhe si aktore, si në film ashtu edhe në teatër.
Angazhimin e parë profesionist e pati në Radio Prishtina, ku në vitin 1948 u pranua si soliste. Paraqitjen e parë skenike e pati në Beograd, ndërsa karrierën muzikore e përfundoi me një koncert në Sarajevë në vitin 1984.
Muzikën popullore shqipe e përhapi në shumë vende të botës, ku interpretoi me ansamblin “Shota”.
“Unë gjithë jetën time kam punuar për popullin tim, jam munduar që këngën e bukur shqipe ta çoj sa më lart. Në kohëra shumë të vështira për një artiste shqiptare dhe për popullin tim, unë me shumë kompetencë e kam prezantuar këngën shqipe pothuajse në tërë botën”, është shprehur Pagarusha.
”Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj. Kjo këngë u kompozua nga bashkëshorti i saj Rexhep Mulliqi, me tekstin e poetit Rifat Kukaj.
Ajo ishte pjesëmarrëse e koncerteve në Kosovë, Shqipëri, Bullgari, Izrael, etj. Karrierën muzikore e përfundoi në vitin 1984, pas një koncerti në Sarajevë.
Pas 16 vjetësh larg skenës, ajo u paraqit në vitin 2000 me këngën “Për ty” në një emision të udhëhequr nga Ardit Gjebrea, i cili e bindi të bëjë këtë.
Më 2018 Pagarusha u vlerësua me “Medaljen e Mirënjohjes” nga presidenti amerikan, Donald Trump. /atsh