Loading...

Meta dorëzon në SPAK kallëzimin për ministren Gjonaj e 2 zyrtarë të tjerë: Ka tentuar një grusht shteti

Presidenti Ilir Meta depozitoi sot personalisht në Prokurorinë e Posaçme SPAK, kallëzimin penal për ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe për funksionarë të tjerë të lartë.

Në një prononcim për mediet, Meta tha se “nuk ka ndodhur ngjarje e tillë në historinë e shtetit tonë, ku së fundi rezulton e përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe celula e strukturuar në krye të Ministrisë së Drejtësisë, që përmes shkeljes dhe dhunimit të shumë ligjeve ka tentuar një grusht shteti haptazi”.

“Këto fakte tronditëse ishte e domosdoshme t’i sillte vetë Presidenti. Kallëzimi penal për disa vepra shumë të qarta, është dorëzuar për tre titullarë të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, me në krye Ministren. Po vlerësojmë prova të tjera për persona të tjerë të përfshirë për të çuar deri në fund shpartallimin e kësaj tentative të grushtit të shtetit, por edhe gjithë përpjekjes për të finalizuar grushtin e shtetit”, tha Meta.

Ai ftoi në 2 mars të gjithë shqiptarët në bulevard në Tiranë për të bërë të qartë se të gjithë shqiptarët janë me Kushtetutën, jo me Presidentin. “Unë kam dal në sheshin e betejës së vërtetë për çdo qytetar shqiptar që dëshiron të jetojë në liri, demokraci dhe një shtet ku ligji është i barabartë për të gjithë. Nuk ka ndodhur në asnjë vend të Europës që të shkelet ligji në këtë mënyrë”, tha Meta./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com