Loading...

Urimi i Fundvitit, Rama: Detyra jonë ta bëjmë këtë vend më të mirë, më të sigurt e më të begatë për fëmijët tanë

Kryeministri Edi Rama, në videomesazhin e publikuar prej tij me rastin e ndërrimit të viteve, duke uruar shqiptarët për një vit sa më të mbarë dhe të bekuar nga Zoti, tha se është detyrë e gjithësecilit për ta bërë këtë vend më të mirë, më të sigurt e më të begatë për fëmijët tanë.

“Teksa lëmë pas vitin 2019 dhe me të drejtë duam shumë më tepër, jo vetëm sesa çfarë na dha ky vit i vështirë, po në përgjithësi për vendin, familjen e fëmijët tanë, mendoni sidoqoftë ku ishim dhjetë vjet më parë”, – tha Rama.

“E di, e di, e di që shumëkush nga ju do të më hidhej në fyt tani e do të më thoshte, kushedi sesa shumë gjëra për botën që fluturon e për Shqipërinë që mezi ecën, po në fakt nuk është kështu, nuk është aspak kështu, dhe jam gati të debatoj, me ditë e me netë me ju për këtë”, – shtoi Kryeministri.

“Por ky s’është rasti për t’ju bezdisur me shifra e me fakte, po është rasti për t’ju thënë, se ndërkohë që një vit i ri po vjen me një dekadë të re përpara nesh, mendojeni edhe ju bashkë me mua, se sa dhe si mund të bëjmë ne shqiptarët për Shqipërinë, katër a pesë herë më shumë sesa në dekadën që po lemë pas. Është jo vetëm e mundur, po është ajo që duhet të bëjmë”, – u shpreh Rama.

“Zoti çon dritë e çon tërmete, po nuk çon dhurata mbi këtë tokë. E kemi ne për detyrë ta bëjmë më të mirë, më të sigurt e më të begatë për fëmijët tanë. Është detyra jonë të mos i trembemi të përpjetave sfiduese të së ardhmes dhe të mos biem në tatëpjetat e përbaltura të së shkuarës. Është sfida jonë të mos dorëzohemi përpara vështirësive në arritjen e rezultateve dhe të mos gënjejmë veten me rezultatet sa hap e mbyll sytë në kafene”, – nënvizoi Rama.

“Është e jona dhe vetëm e jona, e njerëzve përtej kufirit të adoleshencës, që të mos e humbasim durimin në përballjen me realitetin dhe të mos e lëshojmë gojën e veten në mexhelisin e komunikimit të ulët, sharjeve e shpifjeve, që rrezikojnë të infektojnë si një sëmundje kronike edhe fëmijët tanë. Ky vend i ka të gjitha që ne t’ia dalim në krye të përpjetës ku po ngjitemi me vështirësi, për ta bërë Shqipërinë një shtet normal, funksional, social. Po ne duhet të kemi vullnetin, vendosmërinë, përkushtimin dhe mbi të gjitha vetëdijen, se kjo kërkon kohë, durim, punë e bashkim”, – bëri thirrje Kryeministri.

“Bashkim në qëllime, jo në bindje politike. Bashkim fuqish pozitive, jo forcash politike. Bashkim për të jetuar në një vend ku askush nuk duhet të jetë kurrë vetëm. Unë ju falenderoj nga zemra të gjithëve, juve që më keni besuar, mbështetur, inkurajuar, po edhe juve që nuk më keni besuar a më keni gjykuar keq, po sidoqoftë më keni ndjekur në punën time.

Në fund të ditës koha ikën, vitet ikin, kryeministrat vijnë e shkojnë, të gjithë jemi kalimtarë në këtë tokë. Çka mbetet është Shqipëria dhe kombi ynë. Le të vazhdojmë të bëjmë së bashku më të mirën për Shqipërinë e për kombin shqiptar dhe më e mira u bëftë për ju e gjithkënd ju do zemra!

Gëzuar Vitin e Ri 2020 dhe ardhtë i lehtë, me shëndet e mbarësi në familjet tuaja. Zoti e bekoftë Shqipërinë!” – përfundoi Rama videomesazhin e tij. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com