Agjencia turke për Menaxhimin e Katastrofave dhe Emergjencave (AFAD) ka njoftuar se është rritur në 29 numri i të vdekur nga tërmeti me magnitudë 6,8 ballë me epiqendër rajonin Sicrice në Elazığ të Turqisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë AFAD bëri të ditur se është rritur në 43 numri i personave të shpëtuar nga rrënojat si rezultat i aktiviteteve të ndërhyrjes nën koordinimin e AFAD pas tërmetit.
Si pasojë e tërmetit kanë humbur jetën 29 persona ndërsa 1.466 qytetarë janë shtruar në spitale, thuhet në deklaratën ku informohet se në rajon kanë mbërritur 8.565 çadra prej të cilave ka përfunduar instalimi i sasisë së nevojshme. Pas analizave përcaktuse të dëmeve është konstatuar se janë shembur 72 ndërtesa, janë dëmtuar rëndë 514 dhe 409 ndërtesa kanë dëme të pakëta dhe të mesme.
“Në 20 orët e para të tërmetit janë shpëtuar nga rrënojat 43 persona. Pas tërmetit janë shënuar 462 tërmete, prej të cilëve 14 mbi 4 ballë. Në rajon po përballohen nevojat e qytetarëve të prekur nga tërmeti dhe po bëhen analizat e përcaktimit të dëmeve”, thekson AFAD në deklaratën e saj.
Lidhur me punimet e përcaktimit të dëmeve në terren ndodhen 280 personel teknik dhe 4 automjete. Deri më tani janë inspektuar 1.323 ndërtesa dhe 328 prej tyre është përcaktuar se nuk janë të dëmtuara.
Kujtojmë se nga tërmeti me magnitudë 6,8 ballë që goditi mbrëmë pjesën lindore të Turqisë humbën jetën 29 persona ndërsa rreth 1.500 të tjerë janë plagosur./atsh