Loading...

Të ardhurat nga biletat për të prekurit e tërmetit/ Yjet historike të Shqipërisë, Italisë, Greqisë dhe Turqisë përballje në stadiumin “Air Albania”

“Luajmë dhe rindërtojmë sëbashku”. Është kjo iniciativa e Federatës Shqiptare të Futbollit për të mbledhur sa më shumë të ardhura për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 në Shqipëri.

Yjet historikë të kombëtareve të Shqipërisë, Italisë, Greqisë dhe Turqisë zbritën sot në fushën e “Air Albania Stadium”.

Gjithçka startoi në orën 18:30, ku u luajtën dy gjysmëfinale nga 35 minuta secila dhe më pas finalja e madhe. Gjysmëfinalja e parë u luajt mes Shqipërisë dhe Italisë dhe dyta mes Turqisë dhe Greqisë.

Në mbarim të dy gjysmëfinaleve u luajt dhe finalja mes Italisë dhe Greqisë ku triumfoi Italia dhe kupën ekipit italian ia dorëzoi Armando Duka, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit.

Para fillimit të ndeshjes disa fëmijë me tullumbaca të bardhë në duar u ngjitën në fushën e blertë duke sjell mesazhe sensibilizuese për paqe dhe dashuri si dhe për solidaritet mes vendeve të ndryshme në situata të vështira si ajo që kaloi vendi ynë më 26 nëntor.

Gjithashtu stadiumi ishte i mbushur me sportdashës të cilët panë këto ndeshje bamirësie e ku çdo njëri prej tyre u bashkua për të kontribuar sado pak në këtë kauzë humane në ndihmë të të prekurve nga tërmeti.

Ky festival i futbollit me emrat e njohur të katër kombëtarëve, siç janë Zambrota e Perrota, Kampionë të Botës në 2006, apo Hasan Şaş i cili ishte një nga liderat e Turqisë në Botërorin e vitit 2002 ku u renditën në vendin e tretë si dhe fqinjët grekë të cilin fituan Kampionatin Europian në vitin 2004 nën dirigjimin e Karagunis, synon krijimin e një tradite të tillë në futbollin shqiptar për të afruar sportdashësiit me emrat e mëdhenj të futbollit tone dhe atij ndërkombëtar.

Të gjithë të ardhurat e siguruara nga shitja e biletave të ndeshjes do të shkojnë për familjet e prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit.

Ky turne organizohet nga Sindikata e Futbollit me mbështetjen e plotë të Federatës Shqiptare të Futbollit.

Ky projekt i përgjegjësisë sociale, vjen në vazhdën e aktiviteteve të pandërprera të Federatës së Futbollit, të stafit dhe djemve e vajzave të kombëtareve shqiptare për të ndihmuar dhe lehtësuar familjet e prekura nga tërmeti. Fokusi parësor ka qenë te fëmijët.

Federata e Futbollit është zotuar të ndërtojë të paktën tre shtëpi të rrënuara nga tërmeti, ose më shumë në varësi të fondeve të mbledhura. Ka nisur tashmë evidentimi i shtëpive./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com