Targat e reja shqiptare, janë më të sigurtat në rajon dhe superojnë standardet edhe të shumë vendeve të BE-së. Targat e reja janë të pafalsifikueshme, të patjetërsueshme dhe kanë numrin më të lartë të elementeve të sigurisë.
Në njoftimin e publikuar të shtunën, nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, mësohet se “targat e reja janë të pafalsifikueshme, të patjetërsueshme, me numrin më të lartë të elementeve të sigurisë”.
“Targat e reja shqiptare, furnizim i ri (sasia deri për 31.12.2022), janë më të sigurtat në rajon dhe superojnë standardet edhe të shumë vendeve të BE, si prioritet për sigurinë publike, investim strategjik i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, së bashku me UPGRADE të sistemit operativ informatik e DPSHTRR, në implementim!”-, theksohet në njoftim.
“Targat e reja, vijon njoftimi, janë të pafalsifikueshme, të patjetërsueshme, me numrin më të lartë të elementeve të sigurisë (15 të përfshirë në prokat + kuposje + stampim) dhe me standarde rekord cilësie e certifikuar (CE): Të standardit europian me alumin AW1200 (Free of Chrome) pa asnjë efekt negativ për ambientin; Me Hologramë të personalizuar me logo enti dhe logo kombëtare, ndryshe nga modeli i mëparshëm i cili ishte vetëm gjenerik (ishte vetëm me një pullë universale).
Çdo targë ka të stampuar një barkodin dhe një numër serial unik. Barkodi është i standardizuar dhe identifikon prokatin/targën përkatëse (Çdo mjet që pajiset me dy targa, ka dy barkode progresive, të lexueshme e identifikueshme. Sistemi informatik i DPSHTRR do regjistrojë për secilin mjet dhe barkodet përkatëse të targave të mjetit. Informacioni shërben për verifikime nga organet e kontrollit rrugor dhe përditësohet sa herë mjeti ndërron targat. Barkodi lexohet me barcode reader dhe gjenerohet numri serial që do korrespondojë me numrin serial të stampuar në prokat dhe do lidhet me të dhënat e mjetit)”-, sqarohet në njoftim.
“Ky opsion respekton privatësinë dhe garanton çdo verifikim në terren. 2 sinusoida horizontale virtualisht të lëvizshme, ndryshojnë pozicion në këndvështrime të ndryshme.
Simbole katrore, me shqiponjë dhe me A, të shpërndara në gjithë sipërfaqen e targës, të dallueshme në disa kënde shikimi. Syprina fosforeshente e targës, material i certifikuar nga kompania 3M, e vetmja në botë me elementin VST (Virtual Security Thread). Ngjyrimi me nxehtësi i karaktereve të kuposura të targës ka elemente sigurie, simbolet AL, reflektuese! Karaktere me elemente sigurie unike nga kuposja në targë, etj.!”-, vijon njoftimi.
“Ky ndryshim cilësor dhe ky investim, si nga ana materiale ashtu edhe për UPGRADE të sistemit e DPSHTRR, mundësohet nga DPSHTRR pa rritur tarifat ekzistuese për regjistrimin e mjeteve! Respektojmë Direktivat e BE, rrisim standardet, kredibilitetin dhe prestigjin e flotës shqiptare të mjeteve rrugore, rrisim sigurinë publike dhe aftësinë identifikuese në kohë reale nga kontrollet rrugore e forcat e rendit!”-, përfundon njoftimi. /atsh