Loading...

Spitali i ri i Kirurgjisë në QSUT, mjeku reanimator Lilaj: Kushte moderne dhe shërbim që konkurron edhe privatin

Mjeku pranë Qendrës Spitalore Universitare në Tiranë, Krenar Lilaj tha se spitali i ri i Kirurgjisë është me kushte moderne dhe konkurron edhe privatin.

“Spitali i Kirurgjisë trajton me mijëra pacientë çdo ditë. Vetëm për ndërhyrjet kirurgjikale janë 900 pacientë në vit, pa përfshirë këtu 23 mijë që i nënshtrohen ndërhyrjeve mikrokirurgjikale dhe pa përfshirë këtu numrin e pacientëve që konsultohen dhe nuk i nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale. Kështu, është një gamë e madhe e të sëmurëve të cilët kërkojnë ndihmën e tyre në spitalin e Kirurgjisë”,- tha ai.

Në vijim, Lilaj tha se “nga ana tjetër spitali Kirurgjikal nr.2 është spitali ku pacientët i nënshtrohen kirurgjisë së specializuar abdominale në të gjithë Shqipërinë. Të gjithë ndërhyrjet e specializuara të kirurgjisë abdominale të cilat janë të pamundura të realizohen në kirurgjitë rajonale realizohen në spitalin Nr. 2. Kishte ardhur koha që të mbyllej ky hendek i madh midis cilësisë së punës që kryente stafi mjekësor, mjekë dhe infermierë dhe kushteve në spital. Kishte ardhur koha për kushte më të mira. Është një mundësi e madhe për t’u ardhur në ndihmë të sëmurëve”.

Ai tha se në spitalin e ri po inaugurohen njësi të reja që në spitalin e vjetër nuk kanë qenë. “Do instalohet njësia e reanimacionit kirurgjikal. Është një njësi e re moderne e pajisur me aparatura dhe mjete moderne dhe sigurisht aty kërkohet një staf i ri për mbarëvajtjen e punës. Masat janë marrë, janë rekrutuar mjekë dhe shërbimi do të jetë 24 orë. Është një ambient me kushte shumë të mira, pacientët do ta shohin vetë, kushtet janë bashkëkohore dhe mjetet e ambientet që na mungonin, i kemi”.

Në lidhje me besimin e qytetarëve të Shëndetësia, Lila tha se vetë njerëzit vendosin se ku do ta marrin shërbimin.

“Me kushtet e reja në spitalin e Kirurgjisë dhe të shërbimit tonë, besoj se konkurrojmë shumë privatin, lidhur me cilësinë e shërbimit,” tha ai.

Në lidhje me bashkëpunimin me njësitë spitalore, Lilaj tha se do të vazhdojë dhe trajtimi i të gjitha rasteve që vijnë nga rrethet. Që nga dita e hënë kemi filluar punë në 5 sallat e operacionit dhe e kemi ndierë veten ndryshe. Puna zhvillohet në kushte të reja, shumë të mira dhe shpresojmë që të rrisim dhe kapacitetin”.

Paraditen e sotme, kryeministri Rama dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu inauguruan spitalin e ri të Kirurgjisë, i cili është ringritur pas 90 vitesh në godinën e vjetër në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com