Banka Botërore e konsideron pozitive ecurinë e zbatimit të projektit për sistemet e ujitjes, që financohet prej saj në bashkëpunim me qeverinë shqiptare.
Në raportin e fundit të publikuar nga ekipi i BB-së, nënvizohet se zbatimi i projektit ka qenë më i mirë gjatë tre ose katër muajve të fundit. “Aktualisht, ministria, ekipi i menaxhimit, komunat, kontraktorët dhe mbikëqyrësit po tregojnë angazhim në zbatim në mënyrë që të kompensohen vonesat e kaluara sa të jetë e mundur”, shprehet BB.
Sipas saj, në përgjithësi, niveli i disbursimit ka treguar përmirësim të ndjeshëm, megjithatë kërkohet përshpejtim në zbatim, me qëllim që projekti pilot për ujin me presion në zonën e Divjakës të përfundojë brenda datës 31 maj 2020.
Projekti për sistemet e ujitjes ka marrë aprovimin e bankës në vitin 2012 dhe u bë efektiv në maj 2013. Data origjinale e tij e mbylljes ishte 31 maji 2018 por u shty me deri në maj 2020. Në total banka financon nga projekti një shumë prej 66.74 milionë dollarësh./atsh