Në mes të qetësisë, pastërtisë së ajrit, aty ku natyra zbulon bukurinë e saj mahnitëse vizitorët vendas e të huaj kanë mundësinë të njihen edhe me arkitekturën e veçantë të shtëpive tradicionale dhe objekteve të kultit, të ndërtuara në veri të Shqipërisë.
Në këto shtëpi dhe objekte kulti mbizotëron arkitektura tradicionale, në respektimin e traditës së ndërtimit me gurë dhe dru.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit sjell në vëmendje disa prej këtyre shtëpive ku kjo arkitekturë ka një vlerë të veçantë turistike, sepse ajo tregon ndërtimin individual, i cili është autentik, origjinal dhe i rrallë.
Shtëpitë tradicionale, objektet e shërbimeve publike dhe ato të kultit janë shumë të rëndësishme në turizmin e zonave rurale malore në Alpet shqiptare.
“Në këtë kuadër investimet publike në infrastrukturë lehtësojnë aksesin e vizitorëve/turistëve në këto “ndërtime spontane”, duke mundësuar përmirësimin e standardeve të jetesës, standardeve të banimit si pasojë e rritjes së ekonomisë lokale”, shprehet FSHZH.
Sipas FSHZH-së, “Historia e bjeshkëve të namuna” ruhet me fanatizëm në secilën prej këtyre banesave.
Banesat tradicionale në veri të vendit janë të ndërtuara prej guri, në trajtën e kullave dhe me çati shumë të pjerrëta për të mos mbajtur dëborën e shumtë të dimrit.
Gjatë viteve të fundit shumë prej këtyre shtëpive tradicionale janë kthyer në bujtina, për të pritur turistët e shumtë vendas e të huaj, që po tërhiqen gjithnjë e më shumë nga bukuria natyrore e Alpeve shqiptare./atsh