Loading...

Shqipëria e 7-a në Europë për kultivimin e portokallit

Shqipëria prodhoi rreth 10.800 tonë portokalle në vitin 2018, duke u renditur në vendin e 7 në Europë, duke lënë kështu pas edhe Francën, e cila prodhoi 10.090 tonë.

Sipas një raporti të publikuar nga Eurostat, gjatë 2018-s në Shqipëri u kultivuan 300 hektarë me portokall.

Raporti i Eurostat evidenton se Shqipëria rriti me 100 hektarë sipërfaqen e kultivimit të portokallit në 2018, krahasuar me 2017, ndërsa edhe prodhimi u rrit me 1.700 tonë.

Shtimi me 1/3 i sipërfaqes në 2018-n është një tregues se prodhimi do të rritet më shumë në vitet në vijim, kur të hyjnë në prodhim fidanët e rinj.

Sipas raportit të Eurostat-it, shtetet anëtare të Bashkimit Europian (BE) prodhuan 6.5 milionë tonë portokalle në vitin 2018.

Ky ishte niveli më i lartë i prodhimit që nga viti 2010 dhe u mbështet nga vjelja rekord në Spanjë. Sipas Eurostat, Spanja voli 3.6 milionë tonë portokalle, ose 56% të totalit që u vol në vendet e BE-së.

Përveç Spanjës, vendet e tjera kryesore prodhuese ishin Italia, me 1,6 milionë tonë, ose 24% e totalit të BE dhe Greqia me 0,9 milion ton, ose 14% e totalit të BE.

Pothuajse 274 mijë hektarë (ha) portokalle u kultivuan në vitin 2018, dhe pak më shumë se gjysma e kësaj sipërfaqe totale ishte në Spanjë (140 mijë ha).

Italia zinte vendin e dytë me sipërfaqen më të lartë të prodhimit të portokallit, konkretisht 83 mijë ha, që përbënte 30% të totalit të BE-së, e ndjekur nga Greqia me 32 mijë ha, ose 12% e totalit të BE-së. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com