Loading...

Shengeni Ballkanik, proces që ka nisur prej 5 vjetësh/ Kosova humbet shumë duke mos qenë pjesë

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në mbrëmje se “Kosova humbet shumë duke mos qenë pjesë e Shengenit Ballkanik, ndërsa në aspektin e marrëdhënieve me të gjitha vendet përfitimet janë të qarta”.

I ftuar në një studio televizive, Rama tha se “Shengeni Ballkanik është një proces që ka nisur prej 5 vitesh”. “Të gjithë komponentët e tij, përveç lëvizjes së lirë të njerëzve, janë të shkruar në proces. Lëvizjen e njerëzve e kam kërkuar unë dhe kam hasur atëherë në kundërshtimin e Serbisë për shkak të Kosovës. Tryeza u organizua pasi u la që nuk ka kushte për askënd dhe nuk i imponohet askujt”, tha Rama.

Sipas tij, “janë 4 parime të lirisë së BE-së që duhet, sipas nesh, të zbatohen dhe në rajon”. “Nëse Shqipëria dhe Kosova nuk kanë mundur dot deri më sot ta hapin kufirin për lëvizjen e lirë, sot këtë gjë mund ta bëjmë. Kosova nuk është e detyruar të bëjë të njëjtën gjë me Serbinë nëse nuk do”, sqaroi Rama.

Kryeministri theksoi se “liria e lëvizjes së mallrave, njerëzve, kapitaleve, shërbimeve sjell vetëm të mira për ekonominë tonë”.

Në dimensionin ndërkombëtar, Rama tha se “kjo e ndihmon edhe vetë procesin e njohjes përfundimtare të Kosovës, rrit reputacionin, besueshmërinë dhe e bën edhe vetë Serbinë që ta shohë realitetin në sy”.

“Uroj shumë që Kosova të marrë pjesë, duke qenë në tavolinë është e barabartë mes të barabartësh dhe të përfitojë nga procesi. Këtu nuk është bërë ndonjë gjë që bëhet për herë të parë si temë. Thaçi, Mustafa, Haradinaj kanë qenë në të gjitha tryezat dhe janë dakordësuar. Nuk kam asnjë mëri, kam thjesht dhe vetëm neveri ndaj reagimeve që në vend se të përballin argumentet, prekin plagët dhe luajnë mr emocionet e njerëzve që kanë kaluar nga tragjedia dhe i hedhin një helm patriotik ajrit mes nesh duke më veshur mua gjëra që nuk kanë lidhje. Ata që nuk bëjnë dot bashkë dy parti për Kosovën, se nuk ndajnë dot karriget, janë bashkë për të transferuar të gjithë situatën e udhëkryqit pa strategji te ‘vëllai i Vuçiçit’ në Tiranë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “takimet janë periodike dhe janë në proces”. “Çfarë ka këtu të keqe? Ne jemi në marrëdhënie me të gjitha shtetet, nuk jemi në luftë. Ne lëvizim, bëjmë tregti, shkëmbejmë. Heqja e vizave, e kontrolleve në kufi, lehtësimi i orëve të pritjes për eksportuesit… Ku është e keqja këtu? Ne nuk diskutojmë për fuqi globale por për tregje të vogla, që duke u zgjeruar përfitojnë të gjithë”, tha Rama. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com